Austria financon paraburgimin e Vlorës, takohen ministrat
Tiranë - Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, priti dje në një takim ministren e Drejtësisë të Republikës Federale të Austrisë, Maria Berger, gjatë të cilit u bisedua rreth bashkëpunimit dypalësh në fushën e Drejtësisë. Në takimin e zhvilluar në mjediset e Ministrisë, ishin të pranishëm edhe zëvendësministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, sekretari i Përgjithshëm i MD-së, Hekuran Skuqi, përfaqësues të Misionit Europian të Asistencës për Sistemin Shqiptar të Drejtësisë (EURALIUS), të Ministrisë së Drejtësisë Austriake, etj. Ministri Alibeaj, duke falënderuar homologen Berger për praninë e saj në Shqipëri, u shpreh: "Është një rast i mirë për t'ju shprehur falënderimet e qeverisë shqiptare dhe të Ministrisë së Drejtësisë për asistencën teknike dhe juridike që qeveria austriake dhe Ministria e saj e Drejtësisë kanë dhënë për sistemin shqiptar të Drejtësisë". "Duhet të shpreh falënderimet në mënyrë të veçantë edhe për ndihmën e paçmuar që misioni EURALIUS, me doza të forta austriake, i ka dhënë Ministrisë së Drejtësisë", - tha ministri Alibeaj, duke shprehur besimin se një bashkëpunim i tillë do të vijojë edhe në të ardhmen. Ndërsa ministrja Berger, nga ana e saj, u shpreh: “Për Qeverinë austriake dhe për Ministrinë e saj të Drejtësisë është shumë e rëndësishme kjo ndihmë që po përpiqemi t'i japim Shqipërisë në masën që mundemi”. “Nga ana tjetër jam krenare të them dhe të shoh përpjekjet që ka bërë Ministria ime e Drejtësisë për ndihmën e dhënë sidomos në këtë rajon, duke dërguar edhe ekspertë të ndryshëm”, - nënvizoi Berger. Të dy ministrat e Drejtësisë, Alibeaj dhe Berger, pritet që sot të marrin pjesë në ceremoninë e përfundimit të ndërtimit të paraburgimit në Vlorë, i financuar me një grant prej 3.7 milionë eurosh. Kapaciteti i këtij paraburgimi është mëse i mjaftueshëm për përballimin e nevojave të Prefekturës së Vlorës dhe ka standarde të larta në përputhje me normat ndërkombëtare dhe përfshin seksione të veçanta për të miturit dhe gratë, ambiente pune, pajisje moderne, sisteme sigurie bashkëkohore, sisteme të ngrohjes dhe ftohjes, spital, shkollë për edukim për të gjitha kategoritë, gjykatat për rivlerësimin e masës së arrestit, etj. Në kuadër të një procesi binjakëzimi, Qeveria austriake ka kontribuar me investime në sistemin e paraburgimeve në vend nëpërmjet programit CARDS të Komisionit Europian.
22 Shkurt 2008