Barka: “Pagat e minatorëve do të rriten me 50 për qind”
Tiranë - Minatorët do të kenë paga më të larta dhe do t’u paguhen sigurimet shoqërore. Pas shumë protestave, më në fund, minatorët do të përfitojnë rritje të pagës në masën 50 për qind. Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Kosta Barka, ka arritur në një marrëveshje mes firmës “BerAlb” dhe përfaqësuesve të punëmarrësve të Minierës së Munellës dhe të Fabrikës së Pasurimit të Bakrit në Fushë-Arrës, për rritjen në masën 50 për qind të pagesës. Ndërsa sigurimet shoqërore të prapambetura do të paguhen në masën 100 për qind. Ministri Barka tha se ndërmjetësimet do të vazhdojnë edhe në Minierën e Bulqizës dhe në minierat në jug të vendit. Marrëveshja parashikon që paga e një minatori në 2009-n të jetë 63 mijë lekë nga 41 mijë lekë që është aktualisht. Në fillim të muajit shkurt u inspektua Miniera e Munellës dhe Fabrika e Pasurimit të Bakrit në Fushë-Arrës dhe, një javë më pas, fabrika e çimentos “CBMI” në Fushë-Krujë. Në qendër të këtyre inspektimeve ishte respektimi i marrëdhënieve të punës, masat për sigurimin e kushteve të punës dhe garantimi i pagave e pagesave të tjera për sigurimin e mirëqenies së punonjësve.
22 Shkurt 2008