Trafikimi i makinave luksoze, pranga tre personave
TIRANË - 14 automjete janë sekuestruar pasi rezultojnë të vjedhura në Francë dhe të trafikuara në Shqipëri. Menjëherë pas kësaj tre persona të arrestuar janë vënë në pranga falë operacionit të koduar “Lion”, i organizuar dje nga forcat e policisë së kryeqytetit.
Operacioni
Policia e Tiranës bëri të ditur dje emrat e tre të arrestuarve, Belul Gjoni, 22 vjeç, Martin Elezi, 22 vjeç, si dhe Alfred Vladi, 23 vjeç, të akuzuar për “trafikim të mjeteve motorike” si dhe “falsifikim të dokumenteve”. Të tre shtetasit e sipërcituar u kapën në flagrancë, në afërsi të Rrugës së Elbasanit, në bulevardin “Zogu I”, në Stacionin e trenit, duke drejtuar dy automjete të tipit “Benz” dhe “Volkswagen Pasat”, me targa franceze. Pas një kontrolli të imtësishëm rezultoi se këto automjete rezultojnë të vjedhura në Francë, ndërsa dokumentacionet përkatëse të automjeteve ishin të gjitha të falsifikuara në emër të shtetasve të ndryshëm. Policia dokumentoi trafikimin e automjeteve të vjedhura në Francë dhe të trafikuara në Shqipëri nga shtetasi Belul Gjoni.
Trafiku
Ndërkohë, lidhur me trafikimin e mjeteve motorike është vendosur të ndiqen në gjendje të lirë për “Falsifikim të vulave e stampave”, si dhe të “Trafikimit të mjeteve motorike”, shtetasit Ervin Ostrovica, 24 vjeç, Artin Çaushi, 37 vjeç, si dhe Elvis Bekteshi, 30 vjeç, ndërsa është shpallur në kërkim Enerjal Lajthia. Policia tha se Ostrovicës, Çaushit e Bekteshit iu bllokuan tre automjete, n jë tip “Benz”, me targa 5881 WDE 57, një automjet tip BMW, me targa 719 BJN57, si dhe një automjet tip “Porche”, me targa CW888 SA, pasi gjatë verifikimit kanë rezultuar me dokumente të falsifikuara. Ndërkohë, në cilësinë e provës materiale policia sekuestroi 14 automjete të tjera të markave të ndryshme, si BMW, Benz, Audi, Volvo, Volkswagen, etj.
Lidhur me operacionin “Lion”, policia sqaroi se ai do të vazhdojë me kontrollin me imtësi të dokumenteve të automjeteve, të cilat rezultojnë të vjedhura jashtë shtetit dhe të trafikuara në Shqipëri.
22 Shkurt 2008