Shqyrtimi i dëshmisë, ekspertët: “Është e vlefshme”
Tiranë - Ekspertët kriminalistë kanë arritur në konkluzionin se nënshkrimi në të gjitha faqet e procesverbalit të mbajtur gjatë marrjes në pyetje në hetimet paraprake ndaj Alfred Prengës për "vjedhje të automjeteve" është origjinal dhe nuk është i falsifikuar, ashtu siç ka pretenduar disa seanca më parë i pandehuri Prenga. Gjatë seancës që u zhvillua dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda, kryetari i trupit gjykues të kësaj çështjeje lexoi konkluzionet e ekspertizës së kryer nga ekspertët kriminalistë, ku thuhej: “Nënshkrimi i hedhur nga i pandehuri Prenga në procesverbalin e mbajtur prej disa faqesh është origjinal”. Ndërkohë, dy prej avokatëve mbrojtës kanë kërkuar që para se ata të thonë fjalën e tyre, t’u vendoset në dispozicion kopja e aktit të ekspertizës. Gjithashtu, ata kanë kërkuar që në seancën e ardhshme të gjyqit të jenë të pranishëm edhe ekspertët kriminalistë për t’u marrë në pyetje lidhur me aktin e ekspertizës. Të dyja kërkesat janë pranuar si nga organi i akuzës, ashtu edhe nga trupi gjykues, duke e shtyrë seancën për në datën 29 shkurt 2008. Ekspertimi i firmës u kërkua nga vetë i pandehuri Prenga gjatë seancave të mëparshme, duke pretenduar se gjatë marrjes në pyetje nga oficerët e policisë gjyqësore firma e hedhur në procesverbalin e mbajtur ishte e falsifikuar. Dëshmia e Prengës gjatë hetimeve paraprake ka qenë ajo që ka zbardhur vjedhjet e automjeteve, të cilat i faturohen anëtarëve të këtij grupi, të cilët u arrestuan në vitin 2006 gjatë operacionit të koduar “Mercedes Benz”. Tetë të pandehurit e këtij procesi janë: Alfred Prenga, Preng Lleshaj, Mark Dyzeni, Miklovan Legisi, Mhill Ndreca, Yllson Dyzeni, Jetmir Noka dhe Djerin Preçi, të cilët akuzohen për vjedhjen, çmontimin dhe më pas shitjen e makinave të vjedhura prej tyre, ku janë dokumentuar rreth 30 vjedhje automjetesh, kryesisht në Tiranë dhe në qytetet e tjera të Shqipërisë së Mesme.
22 Shkurt 2008