E Shtunë, 31 Tetor 2026

I mituri vrasës lë “spitalin-burg”, policia masa për kontrollin e tij

Pas shumë debatesh dhe hamendjesh, Romario Hodaj, i mituri vrasës, ka lënë “burgun” në Spitalin rajonal të Beratit dhe është rikthyer pranë familjes së tij. I ngujuar prej strukturave të Policisë së Shtetit që prej datës 13 nëntor 2007 për vrasjen e 47-vjeçares Engjëllushe Sinjari, nga fshati Skrevan i Urës Vajgurore, tashmë ai do të rifillojë jetën në komunitet, megjithëse një gjë e tillë ka shkaktuar reagime të ashpra. Ka qenë Gjykata e Apelit Vlorë, e cila, pasi ka shqyrtuar dosjen e 13-vjeçarit, për shkak të moshës së tij minorene ka kërkuar dërgimin e tij në një shkollë riedukimi. Por mungesa e një institucioni të tillë në vendin tonë i ka dhënë mundësinë atij që të rifitojë lirinë. Edhe pas vendimit së Apelit, 13-vjeçari ka vazhduar që të qëndrojë në dhomën e Spitalit të Beratit, e cila shërben për mjekimin e të paraburgosurve dhe të burgosurve që ndodhen në mjediset e Drejtorisë së Policisë Berat. Lidhur me lirimin e tij nga dhoma e spitalit, ku ai ishte i izoluar për më shumë se tre muaj, drejtori i Policisë së Beratit, Shemsi Prençi, është shprehur se ai është i lirë të shkojë në banesën e tij. Në një prononcim për mediat, drejtori Prençi tha se detyra e policisë ishte të zbulonte autorësinë e atij krimi të shëmtuar dhe për të gjitha këto policia ka përmbushur detyrimet e saj ligjore. Ai shtoi se policia do të vazhdojë të mbikëqyrë 13-vjeçarin si person më precedent kriminal dhe i rrezikshëm për shoqërinë, për bashkëmoshatarët e tij dhe për personat e tjerë. “Prindërit duhet të përgjigjen për fëmijët e tyre deri në moshën 18-vjeç dhe për çdo rast të njoftojnë policinë”, - tha Premçi. Sipas tij, “është hartuar një plan masash, nëpërmjet të cilit do të mbahet nën kontroll ky fëmijë në çdo ambient që të jetë”. Romario Hodaj është autor i masakrimit dhe përdhunimit të Engjëllushe Sinjarit, një grua me probleme mendore. Pas një jave hetimesh policia arriti të zbulojë autorin, i cili akuzohet edhe për përdhunimin e dy vajzave si dhe për grabitjen me dhunë të një të moshuare. Tashmë, i mituri i cilësuar si “monstër”, rikthehet në mes të komunitetit, anëtarët e të cilit janë shprehur të shqetësuar për rrezikshmërinë e tij.

Eneida Petova

22 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›