E Shtunë, 31 Tetor 2026

Austria mbështet “Një OKB”

 

Qeveria e Austrisë mbështet Reformën e OKB-së në nivel vendi, duke kontribuar me 250.000 euro në Fondin e Koherencës së programit “Një OKB” në Shqipëri. Marrëveshja midis Qeverisë austriake dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara u firmos në prezencën e përfaqësuesve të Qeverisë shqiptare dhe Agjencive të KB-së prezent në Shqipëri. Fondi i Koherencës i “Një OKB” synon të rrisë efektshmërinë e punës së sistemit të OKB-së në Shqipëri duke ri-organizuar, thjeshtësuar dhe rritur ndjeshëm harmonizimin dhe parashikueshmërinë e përçimit të fondeve. Ky fond do të financojë prioritetet më strategjike të programit “Një OKB”, siç parashikohet bashkërisht nga qeveria shqiptare, Koordinatori Rezident dhe Agjencitë e tjera pjesëmarrëse të “Një OKB”. “Qeveria e Austrisë mbështet asociimin e Shqipërisë me Bashkimin Evropian, si edhe programet që i bashkëngjiten kësaj iniciative”, theksoi ambasadori austriak në Shqipëri, Klaus Derkowitsch. “Gjithashtu, në interesin e Austrisë është edhe mbështetja e rritjes së efektshmërisë dhe përmirësimit të mëtejshëm të sistemit të zhvillimit të Kombeve të Bashkuara”, u shpreh ambasadori austriak.
Ndërsa Koordinatorja e Përhershme e Agjencive të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, tha se kjo ndihmë lejon zbatimin e programeve strategjike, të cilat bëjnë diferencën në jetën e shqiptarëve. “Suksesi i programit të ‘Një OKB’ varet pjesërisht edhe nga mbështetja e dhënë nga partnerët ndërkombëtarë, duke përfshirë kontributet në Fondin e Koherencës”, tha Gulden Turkoz-Cosslett, Koordinatore e Përhershme e Agjencive të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri. “Mbështetja që po jep qeveria austriake është një kontribut i mirëpritur dhe që i përgjigjet prioriteteve kombëtare”, tha Albana Vokshi, e cila drejton Departamentin e Bashkërendimit të Strategjive dhe Koordinimit të Ndihmës së Huaj. “Iniciativa ‘Një OKB’ zhvillohet në përputhje me përpjekjet e qeverisë për të harmonizuar ndihmën e huaj në vend, dhe Fondi i Koherencës i jep mundësinë qeverisë ta kanalizojë këtë ndihmë në drejtime strategjike. Ky kontribut mund të konsiderohet si një histori suksesi, dhe presim që donatorë të tjerë të na bashkohen së shpejti në këtë nismë të ndërmarrë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›