Një rektor italian në krye të Universitetit për Turizmin
Ai ka ndërmarrë një sfidë të rëndësishme, por dhe të vështirë. Profesori italian, Salvatore Messina, ka vendosur të kontribuojë mbi Shqipërinë në një fushë të re dhe të pazhvilluar mirë siç është turizmi. Së bashku me një grup akademikësh ndërkombëtarë, profesionistë të kualifikuar, do të çelin Universitetin e parë privat për Turizmin në Tiranë, duke përgatitur një staf të kualifikuar. Profesori, i cili referon prej shumë vitesh në universitetet më në zë të Evropës, e që në këtë rast do të mbajë dhe peshën e rektorit në Universitetin Evropian për Turizmin. “Kemi bërë një studim të hollësishëm strukturor në Shqipëri dhe menduam se, ishte e mundur të vinim dorë në turizëm. Nëse ne fusim kompetencat profesionale në turizëm dhe e vendosim atë në qendër të veprimeve të politikës, arrijmë të ndërtojmë një strukturë të mirëfilltë në Shqipëri, duke krijuar një staf profesionistësh. Për këtë qëllim ne po bashkëpunojmë me disa universitete evropiane”, sqaron rektori. Sipas tij, dy janë mundësitë, ose Shqipëria të ndjekë rrugën e shembullit spanjoll, ku ndërtimet rreth bregdetit ndërtohen, duke mos respektuar natyrën dhe prishur bukuritë e saj, ose të ndjekë rrugën tjetër, t’u dedikohet hapësirave natyrore. Salvatore Messina nga pikëpamja e një eksperti nuk ka nguruar të nxjerrë në pah edhe disa nga mangësitë më të mëdha, që ka turizmi në vendin tonë. “E para, është mungesa e mentalitetit për turizmin. Shqiptarët në përgjithësi, janë njerëz shumë mikpritës e bujarë. Ata që operojnë në fushën e turizmit janë pionierë, që investojnë nga xhepi i tyre, ku bëjnë mjaft gabime pa qëllime të këqija, që jo se kanë dashur t’i bëjnë këto gabime, por nuk kanë ditur si t’i bëjnë. Ne si universitet kemi një qëllim; të nxjerrim në pah kompetencat e duhura për këtë lloj sektori, duke përgatitur stafin, i cili do të ketë detyrën nesër për ta çuar përpara këtë vend drejt zhvillimit të turizmit”, ka sqaruar ai.