E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universitetet, në gjithë vendin 3800 vende bosh

 

ZIRINA LLAMBRO

Rreth 3800  vende të lira raportohen nga universitetet publike pas mbylljes së fazës së parë të regjistrimeve. Agjencia e Pranimit në Institucionet e Arsimit të Lartë bën me dije se, sërish përzgjedhëse do të jetë konkurrenca. “Aktualisht po merremi me spostimet, në mënyrë që të hartojmë listën përfundimtare të fituesve në shkollat e larta. Por doja të sqaroja të gjithë kandidatët se, pranimi do të bëhet sërish sipas parimit meritë preferencë. Pra, nuk është e thënë që personi që është poshtë vizës të jetë patjetër fituesi”, sqaroi kreu i APRIAL Frederik Shalësi. Ndërkaq, sipas Ministrisë së Arsimit, lista e dytë me fituesit do të afishohen në 25 shtator në të gjitha shkollat.”Kandidatët që janë shpallur fitues në listat përfundimtare, në një program tjetër studimi, të një preference të tyre më të lartë, do të çregjistrohen nga programi i studimit ku janë regjistruar paraprakisht dhe të regjistrohen në programin e studimit, ku janë shpallur përfundimisht fitues”, bën me dije ministria. Kandidatët, të cilët edhe në listat përfundimtare rezultojnë fitues në të njëjtin program studimi, nuk kanë nevojë të riregjistrohen. Sipas të dhënave të këtij dikasteri, dega me më shumë kuota të lira është mësuesia, ndërsa më pak vende ka  Drejtësia, Mjekësia, Gazetaria e Puna Sociale. Në Universitetin e Tiranës kanë raportuar vende bosh të gjitha degët e fakulteteve. Nga 5165 fitues, vetëm 4112 kandidatë janë regjistruar duke lënë bosh plot 1053 vende. Në Mjekësi kanë mbetur bosh 60 vende, në Drejtësi 53 vende, ndërsa tek Ekonomiku kanë mbetur plot 317 vende të paplotësuara. Në Universitetin Politeknik nga 1790 fitues janë regjistruar vetëm 1461, duke u hapur kështu dritën jeshile 329 kandidatëve të tjerë. Në Universitetin e Gjirokastrës, gjatë fazës së parë të regjistrimeve, janë plotësuar 613 vende, duke lënë bosh vetëm 96 të tjera, ndërsa në Universitetin e Elbasanit nga 2040 kuota të planifikuara janë regjistruar vetëm 1580 fitues, duke u dhënë mundësi 460 kandidatëve të tjerë për të fituar të drejtën e studimit. Universiteti i Vlorës ka raportuar 530 vende të paplotësuara, nga 2750 kuota në total, ndërsa në Universitetin e Shkodrës, faza e parë e regjistrimeve është mbyllur me 1635 studentë të regjistruar, duke lënë bosh plot 715 vende.

Vendet e lira

Universiteti i Tiranës 1053 vende te lira Universiteti Politeknik 329 vende të lira Universiteti Bujqësor 90 vende të lira Universiteti i  Gjirokastrës, 96 vende të lira Universiteti i Elbasanit 460 vende të lira Universiteti i Vlorës 530 vende të lira Universiteti i Shkodrës, 715 vende të lira Universiteti i Durrësit 183 vende të lira Universiteti i Korçës 349 vende të lira

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›