Peshkatarët mësyjnë Italinë për naftën
DURRES - Peshkatarët shqiptarë mbajnë sytë nga tregu i karburantit në Itali. Mbijetesa e tyre varet vetëm nga çmimi i naftës në brigjet përballë, pasi në vendin tonë asnjë ndryshim ndërkombëtar nuk po gjen zbatim në tregun e karburanteve. Mësohet se falë uljes në shkallë botërore të çmimit të naftës deri në 90 USD për fuçi, tregjet e huaja po i reflektojnë shumë shpejt çmimet e reja. Kjo gjë nuk ndodh akoma në vendin tonë. Peshkatarët durrsakë e blejnë aktualisht naftën në Bari dhe Brindisi me çmimin 0.6 euro për litër, nga 0.8 euro për litër me të cilin e merrnin para dy muajsh. Kjo është një situatë e favorshme për ato anije me kapacitet të madh, të cilat furnizohen jashtë, por njëkohësisht vdekjeprurëse për anijet me tonazh të vogël, të cilat nuk e përballojnë lundrimin deri në Itali. Pjesa e peshkarexhave të vogla që përbën afro 70% të flotës së Durrësit vazhdon të kalbet në molo, pasi pronarët e këtyre mjeteve nuk e përballojnë dot blerjen e naftës me çmimin 1.2 euro për litër, me të cilin ky artikull tregtohet në Shqipëri. Sektori i peshkimit në Durrës vazhdon të mbijetojë falë naftës italiane. Pas situatës së favorshme të krijuar javët e fundit është intensifikuar gjuetia në det të hapur. Sipas dispecerisë, vetëm gjatë paradites kanë dalë për gjueti 25 anije peshkimi. Bëhet fjalë vetëm për ato peshkarexha me tonazh të lartë, pasi të tjerat mbeten papunë. Ndërkohë, Kapitaneria njofton se thuajse çdo ditë kryhen praktika të peshkarexhave shqiptare, të cilat kërkojnë autorizimin për t'u nisur drejt porteve të Pulias. Marrja e naftës është e ligjëruar me konventa detarie. Ajo konsiderohet "naftë bordi" dhe sjellja e saj nuk përbën krim financiar. E tillë ajo do të ishte vetëm nëse përfituesit kërkojnë ta shesin naftën në Shqipëri duke e ricikluar, por kjo nuk ndodh pasi peshkatarët e shpenzojnë karburantin për peshkim deri në pikën e fundit. Sipas burimeve, me një rrugë Italie, anijet shqiptare sigurojnë për afro një muaj autonominë e karburantit për gjueti. Përballë kësaj gjendje shumë pronarë kërkojnë të shesin anijet e vogla duke synuar zëvendësimin e tyre me mjete më të mëdha, të afta për të lundruar dhe furnizuar me naftë drejt vendit fqinj. o.u