E Shtunë, 31 Tetor 2026

E zë korrenti, vdes peshkatari

 

Një peshkatar nga Sukthi i Durrësit ka gjetur vdekjen teksa peshkonte. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në grykëderdhjen e lumit Erzen, rreth orës 15:00. Mësohet se viktima Avni Metushi, 43 vjeç është goditur nga rryma elektrike, teksa ai në përpjekje për të kapur rrjetën me një tub metali ka prekur linjën e tensionit të lartë. Ai kishte ngritur një grackë për peshqit, të cilët mblidhen me shumicë në grykëderdhjen e lumenjve. Policia ka gjetur në vendngjarje edhe tubin metalik me gjatësi 5 metra, me të cilin peshkatari i ndjerë spostonte rrjetën. Sipas burimeve policore, Metushi ishte i papunë dhe peshkimi ishte mënyra e vetme me të cilin ai mbante familjen. Ai ka mbetur i vdekur në vend, ndërsa dëshmitarët nga katundi "Rinia", që kanë parë trupin e pajetë kanë lajmëruar menjëherë policinë e Qarkut, për një kufomë të karbonizuar, që gjendej në anë të lumit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›