Austria mbështet diplomatët shqiptarë
Austria është e gatshme të mbështesë kualifikimin e diplomatëve në aspekte të diplomacisë ekonomike. Ministri i Jashtëm të Austrisë, z. Michael Spindelegger, pohoi gjatë një takimi me homologun shqiptar, Edmond Haxhinasto, se është i gatshëm për të ndihmuar nëpërmjet Akademisë Diplomatike të Austrisë. Në takimin mes tyre janë vlerësuar më tej marrëdhëniet shumë të mira midis dy vendeve tona, ndërsa Haxhinasto ka falënderuar homologun e tij për mbështetjen e Austrisë për procesin e liberalizimit të vizave dhe në vazhdim për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Bashkëpunimi ekonomik ishte një tjetër temë e diskutimit mes dy homologëve. Ministri Haxhinasto tha se suksesi i projekteve të deritanishme të mbështetura dhe të financuara nga Austria është një bazë e sigurt për shtimin e investimeve serioze austriake në Shqipëri, në fusha të tilla si turizmi, infrastruktura, energjia etj.