Solidariteti, Topalli: Rama, një kontrast i jashtëzakonshëm

Topalli, thirrje Rames: Mos e perdor per politike dhimbjen e shkodraneve “Shkodranet nuk do ta falin sjelljen antinjerezore”
Në një kohë kur e gjithë Shqipëria është solidarizuar me banorët e përmbytur në Shkodër, për deputeten e këtij qarku, Jozefina Topalli, një kontrast i jashtëzakonshëm është Edvin Rama. Kryetarja e Kuvendit vazhdon të ndjekë situatën në zonat e përmbytura në qarkun e Shkodrës orë pas ore. Zonja Jozefina Topalli theksoi dje se situata vazhdon të mbetet e ndërlikuar për shkak edhe të uljes së ndjeshme të temperaturave. Topalli u interesua në mënyrë të veçantë për skemën e re të shpërndarjes së ndihmave nga pushteti lokal, për banorët e evakuuar dhe të strehuar në konvikte, si dhe për fshatrat të rrethuar ende nga uji. Ajo sërish shprehu konsideratën e thellë për solidaritetin e shqiptarëve dhe shtoi se ka një kontribut të rëndësishëm financiar nga ish-deputetë të majtë dhe të djathtë për përballimin e situatës në Shkodër. Topalli falënderoi edhe ata ish-deputetë, të cilët nuk kanë dashur të shprehin emrin, ata të cilët nuk janë sot në sallën e Parlamentit të Shqipërisë: “Ata janë miq të mi, kolegë të mi, të majtë dhe të djathtë, të cilët kanë kontribuar, pa dashur t’u përmendet emri, në një kontrast të jashtëzakonshëm me Edvin Ramën”. Kryetarja e Kuvendit përmendi se e gjithë Shqipëria, gjithë kombi, çdo shqiptar, këtu dhe në Kosovë, është duke dërguar ndihmë dhe një pjesë e pakove të mëdha kanë ardhur nga Kosova, gjatë gjithë këtyre ditëve, edhe dje. Sipas Topallit, kjo tregon që ne shqiptarët, në ditë të vështira, jemi një. “Në këto ditë të vështira për kombin, sepse Shkodra është një pjesë e rëndësishme, është shpirti i kombit, të gjithë janë këtu me mendje, me shpirt, me mbështetje financiare dhe me ndihma të tjera. Vetëm një emër në Shqipëri, vetëm një njeri kërkon që të përdorë këtë situatë për pushtetin e tij politik. Nga protesta në qytetin turistik të Pogradecit, kur Shkodra ishte zhytur, në rrugët e tij, e paimagjinueshme tek grushtet e degës së PS-së këtu në Shkodër, tek mashtrimet, shpifjet e ditëve të mëparshme; kjo është e padëgjuar në historinë e kombit tonë, nga një që mendohet se është shqiptar”, - deklaroi znj. Topalli. Duke e quajtur Edi Ramën një të pashpirt, Topalli vijoi më tej: “Të kërkosh të gjesh të humbur të tërë, të kërkosh të gjesh raste fatale, pastaj të kërkosh kutinë, të kërkosh karriget e pushtetit mbi mbytjet e një qyteti, mbi mbytjen e një qarku, mbi dhimbjen e mijëra familjeve, mbi humbjen e shumë nga gjëja e gjallë, e humbjes nga çdo gjë që këta familjarë kishin në shtëpitë e tyre, është të jesh antishqiptar, të jesh i pashpirt; të mos kesh asgjë të përbashkët me shpirtin e shqiptarit në shekuj”. “Dhe kjo, - tha Topalli, - është shumë e rëndë, kjo është jashtëzakonisht e rëndë. Ajo bëri të qartë: “Nuk është se vetëm shkodranët s’do t’ia falin kurrë; unë mendoj se asnjë shqiptar s’ka për t’ia falur Edvin Ramës zgjedhjen e tij më të papërgjegjshme, më imorale, më jonjerëzore, më antishqiptare, që mund të ketë ndodhur në historinë e kombit tonë”. Topalli analizoi situatën më të fundit në Shkodër, ndërsa pohoi se me idenë e një menaxhimi më të mirë të punës në drejtimin e prefektit dhe kryetarit të bashkisë, është bërë një skemë tjetër e shërbimit ndaj qytetarit dhe në mënyrë të veçantë për Bashkinë e Shkodrës.