Ushqimi për bagëtinë, një tjetër sfidë për Shkodrën
Furnizimi i zonave të përmbytura të Nënshkodrës me bazë ushqimore për blegtorinë mbetet një tjetër sfidë për tu përballuar. Kjo ka qenë deklarata e zëvendëskryeministrit, njëkohësisht dhe ministër i Ekonomisë dhe Energjetikës, Ilir Meta, gjatë një inspektimi në magazinat e Gjadrit. Sipas Metës, do të ketë furnizim me bazë ushqimore për blegtorinë për të gjithë zonat e përmbytura deri në fund të dimrit. Zëvendëskryeministri dhe ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Petrit Vasili, ishin dhe në Bërdicë ku garantuan banorët për mbështetje të vazhdueshme. Vetëm gjatë ditës së djeshme anëtarë dhe simpatizantë të LSI-së së Lushnjës, në bashkëpunim me kryetarin e Bashkisë së këtij qyteti, Albert Sanxhaku, policinë bashkiake, si dhe pjesëtarë të tjerë të këtij institucioni, dërguan disa kamionë me ndihma ushqimore, veshmbathje si dhe rreth 40 ton koncentrate për bagëtitë në fshatin Trush të komunës së Bërdicës, në rrethin e Shkodrës. Edhe njësitë vendore në qarkun e Korçës do të kontribuojnë për të ndihmuar banorët e zonave të përmbytura me koncentrate për gjënë e gjallë pas kërkesës së deputetit të zonës dhe njëkohësisht ministër i Financave, Ridvan Bode. Vetë prefektura e Korçës do të japë një kontribut prej 50 mijë lekësh të reja, ndërsa stafi do të derdhë në numrin e llogarisë së ndihmës 20 për qind të rrogës mujore.