E Shtunë, 31 Tetor 2026

Situata në Shkodër, PS, akuza qeverisë

Partia Socialiste rithekson akuzat kundër mazhorancës si përgjegjësja e përmbytjeve në Shkodër. Sekretari i Këshillit Ekonomik në PS, Ervin Bushati, tha dje për mediat se vetëm dëmi ekonomik nga përmbytja e tokave në Shkodër arrin në vlerën 71 milionë euro. “Përllogaritja paraprake minimale të dëmit mbi kapitalin privat të bujqve dhe fermerëve të zonës deri sot tregon se fatura financiare - dhe vetëm në rritje me çdo orë që kalon pas 3 ditëve të para të tokës nën ujë - është 71 milionë euro”, - tha Bushati. Ai u shpreh se rikënetizimi ka ardhur si pasojë e keqadministrimit të vendit. Nga ana tjetër ai ka theksuar se në përmbytjen e Shkodrës ka elementë korrupsioni, njëlloj si në shpërthimin e Gërdecit. Bushati shtoi se përmbytjet masive kanë lanë pas një gropë të thellë në ekonominë familjare të fermerëve dhe fshatarëve të zonës së Shkodrës. “Nga njëra anë kemi bagëti të ngordhura dhe bujqësi të mbytur nën ujë - nga ana tjetër kemi çmime ushqimore më të larta në qytet, prej mungesës së tyre në treg. Rritja e çmimeve në tregun ushqimor është dhurata e fundvitit për shqiptarët nga qeveria e tyre”, - tha Bushati.

Ai bëri qeverinë fajtore, e cila nuk parandaloi situatën dhe nuk e përballoi dot atë.

Bushati kërkoi nga Kryeministri Berisha që të pranojë paketën e propozimeve të PS-së për daljen nga situata. “Kryeministri Berisha bën mirë të pranojë paketën e PS-së, të tërhiqet nga marrëzia e tij, sepse vetëm kështu mund të ndihmojë ekonomikisht Shkodrën dhe tërë Shqipërinë me planin e masave në buxhet”, - deklaroi Bushati.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›