E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haxhinasto: SHBA, kundër bojkotit të Parlamentit

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë kundër bojkotit të Parlamentit. Sipas SHBA-së, në Shqipëri duhet të funksionojë dialogu politik institucional, pra që gjithçka në Shqipëri të diskutohet në mënyrë institucionale, brenda institucioneve, brenda Parlamentit. Pohimi u bë dje nga ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, i cili sapo është kthyer nga një vizitë disaditore në SHBA. “Ata dënojnë çdo bojkotim të parlamentit, apo realizim të veprimtarisë politike jashtë institucioneve dhe sigurisht, ata besojnë dhe vlerësojnë zgjidhjen e çështjeve të caktuara, të cilat nuk zgjidhen politikisht midis partive, në një sistem tjetër që është sistemi ligjor, sistemi gjyqësor që ka Republika e Shqipërisë”, - tha Haxhinasto i pyetur lidhur me qëndrimin e Sekretares Clinton për ngërçin politik që ka mbërthyer vendin tonë prej më shumë se një viti.

Ministri i Jashtëm gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka zhvilluar një sërë takimesh ku më i rëndësishmi është ai me Sekretaren e Shtetit, Clinton. Kreu i diplomacisë shqiptare theksoi se gjatë këtij takimi është riafirmuar edhe një herë ajo që ne e quajmë aleanca strategjike mes Shqipërisë dhe SHBA-së. “Kemi marrë një vlerësim të jashtëzakonshëm nga Sekretarja Clinton dhe SHBA për rolin e jashtëzakonshëm që luan Shqipëria si faktor i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin, veçanërisht në angazhimin e saj në Afganistan. Gjithashtu, kemi marrë vlerësimin më pozitiv për rolin konstruktiv që Republika e Shqipërisë luan për paqen dhe stabilitetin në rajon, por edhe për marrëdhëniet e bashkëpunimit dhe integrimit midis vetes dhe BE-së”, - tha ai. Një pjesë shumë e rëndësishme e takimit ka qenë koordinimi i përpjekjeve të përbashkëta midis SHBA-së dhe Shqipërisë për vendosjen e një dinamike të re për njohjen ndërkombëtare të Kosovës dhe që do pasohet sigurisht me kontakte të tjera të vazhdueshme për këtë qëllim. Kreu i diplomacisë shqiptare dhe se gjatë takimeve me kongresmenët amerikanë, Shqipëria është vlerësuar si një histori suksesi. Për sa u përket zgjedhjeve në Kosovë, ministri vlerësoi maturinë politike. Lidhur me mbështetjen e vendeve anëtare të NATO-s, për përmbytjet Haxhinasto tha se ka pasur reagime të shumë vendeve si Turqia, Italia, Greqia, Austria, Danimarka të cilat kanë dhënë ndihma në mënyrë të drejtpërdrejtë apo përmjet organizatave të tjera si Kryqi i Kuq etj. 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›