Topalli viziton të evakuuarit e strehuar në konvikte
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, vizitoi të evakuuarit e zonave të përmbytura që janë strehuar në konviktin e vajzave, në Shkodër. Kryeparlamentarja bisedoi me banorët dhe punonjës të konviktit ku u njoh me masat për furnizimin me ushqime dhe ilaçe, si nga strukturat publike, ashtu dhe nga organizmat ndërkombëtarë. Banorët vlerësuan angazhimin dhe përkujdesjen si dhe ndihmat që po u jepen banorëve për përballimin e situatës së vështirë, që po kalojnë. Në vijim të takimeve, Kryetarja e Kuvendit diskutoi me një grup punonjësish të Emergjencave Civile, të ardhur nga krahina të ndryshme të Italisë, në ndihmë të qarkut të Shkodrës. Përfaqësuesit italianë theksuan se gjendja e fatkeqësisë natyrore që përfshiu Shkodrën nga reshjet dhe prurjet e shumta, po përballohet me nivel shumë të lartë profesionalizmi dhe përgjegjshmërie nga strukturat e shtetit dhe pushtetit lokal në Shkodër. Gjithashtu, Kryetarja e Kuvendit vlerësoi dhe falënderoi për kontributin shumë të rëndësishëm të Italisë, për përballimin e kësaj situate. Topalli theksoi se strukturat e policisë, ushtrisë dhe forcat speciale vijojnë pa ndërprerje ndërhyrjet, për rehabilitimin e të gjitha zonave të përmbytura, si dhe mbështetjen ndaj banorëve.