E Diel, 1 Nëntor 2026

Autizmi, fondacioni i fëmijëve shqiptarë nderohet në SHBA

 

Mbahet për të dytin vit radhazi në Nju Jork takimi “Fokusimi i Botës mbi Autizmin”. Presidentja e Fondacionit të Fëmijëve Shqiptarë, Liri Berisha, ishte e pranishme në këtë takim në vijim të punës dhe përpjekjeve për studimin dhe trajtimin e Autizmit. Zonja Berisha ishte përkrah shumë pjesëmarrëseve të tjerë në këtë organizatë, që ishin ftuar nga e gjithë bota dhe u përkasin hierarkive të ndryshme. Mes tyre ishin Zonjat e Para nga e gjithë bota, mjekë, sociologë, psikologë, por roli i Presidentes së Fondacionit të Fëmijëve Shqiptarë në këtë konferencë ishte ai i bashkë-kryetares së nderit. “Autism Speakes” është qendra më e madhe mbi autizmin në Nju Jork e themeluar në vitin 2005, e cila ka për qëllim financimin dhe mbështetjen e kërkimit shkencor, parandalimit, trajtimit dhe kurimit të autizmit. Presidentja e “Autism Speakes”, Suzanne Wright bëri një ekspoze mjaft vlerësuese mbi punën e Fondacionit të Fëmijëve Shqiptarë si dhe mbi arritjet e këtyre përpjekjeve në këtë fushë. Më pas fjala iu dha zonjës Berisha, e cila në diskutimin e saj nënvizoi nënshkrimin e dokumentit të partneritetit me “Autism Speaks” si dhe hodhi dritë mbi disa iniciativa konkrete në këtë drejtim, si organizimin e një konference kombëtare për të dytin vit radhazi në Shqipëri, ku ekspertë të shkëlqyer ndërkombëtarë do t’i ofrojnë pediatërve, psikologëve dhe aktorëve të tjerë lokalë, informacionin e nevojshëm dhe bashkëkohor si dhe do të ofrohen sesione trajnimi për grupe të vogla specialistësh që tashmë punojnë me fëmijët autistë. Gjithashtu në fjalën e saj, znj. Liri Berisha nënvizoi se një bibliotekë me literaturë mbi autizmin po nis të krijohet falë kontributit të figurave të shquara nga Britania e Madhe e SHBA dhe ka nisur dhurimi i librave dhe revistave mbi autizmin. Në fund të fjalës së saj, znj. Berisha bëri dhe një thirrje për veprim: “Unë do të inkurajoja që çdo vend të ndërtonte një partneritet të tillë me ‘Autism Speaks’ dhe partneritetin GAPH për çdo vend”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›