E Shtunë, 31 Tetor 2026

Situata, Vasili mbledh komitetin e gripit të derrit

 

Ministria e Shëndetësisë do të sigurojë në kohë vaksinat kundër gripit të derrave. Këtë bëri me dije dje ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, në mbledhjen me komitetin e ekspertëve. Ai u informua mbi situatën aktuale dhe dha një sërë udhëzimesh për menaxhimin e saj në vijim. “Janë marrë të gjitha masat nga ana e shtetit shqiptar për të siguruar një sasi të nevojshme dhe në kohë të përshtatshme qoftë medikamentet specifike antivirale, dhe qoftë preparatet imunobiologjike (vaksinat) me qëllim parandalues”, u konkludua në takimin e djeshëm. Në një tjetër takim që Vasili zhvilloi me drejtuesin e Zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Anshu Banerjee, u vu theksi mbi ndihmesën që do të japë kjo organizatë për përballimin e situatës së gripit të derrave në vend. Ndërkaq në kuadrin e sensibilizimit mesazhet bazë parandaluese që Ministria e Shëndetësisë ka planifikuar të komunikojë do të shpërndahen në publik nëpërmjet spoteve televizive, posterave, fletëpalosjeve si dhe aktiviteteve të tjera në grupe specifike të popullatës me risk më të lartë të përhapjes së infeksionit. “Këto ditë ka filluar shpërndarja e rreth 50.000 fletëpalosjeve për fëmijët e shkollave 9-vjeçare dhe 20.000 për adultët dhe 2000 postera, të cilat i shtohen disa dhjetëra mijë materialeve informuese të shpërndara ndërkohë në sezonin e verës”, bën me dije ministria. Po dje, Vasili zhvilloi takime edhe me ambasadorin kroat në Tiranë Darko Javarski dhe Drejtuesen e Misionit të Bankës Botërore në Tiranë, Camile Nuamah si dhe ambasadorin turk Sh.T Hasan S. Asan.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›