E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sapun

Edmond Tupja 

Sendi dhe, rrjedhimisht, koncepti “sapun” kanë këtë përkufizim në Fjalorin e gjuhës shqipe, botim i vitit 2006: lëndë e prerë në kallëpe ose lëng i trashë a pluhur, që përftohet duke zier sodën me yndyrë, tretet lehtë në ujë dhe përdoret për të larë trupin, rrobat etj. Do të më interesonte shumë të dija cili është shpikësi i sapunit, sepse vërtet ka bërë një shpikje po aq të rëndësishme sa ajo e pasqyrës, madje edhe më shumë. A e merr dot me mend lexuesi i vëmendshëm dhe i paanshëm i rubrikës sime se cila është fjalë që më intrigon më shumë në këtë përkufizim objektiv, asnjanës ...thjesht përshkrues të sendit dhe, njëkohësisht, të konceptit “sapun”? Që të mos e bëj të dihasë nga padurimi, po nxitoj t’ia them: është fjalëza “etj.”. Përveç fytyrës dhe pjesëve të trupit, përveç gjërave të panumërta materiale, ç’përfshin ajo vallë që ka nevojë të lahet mirë e mirë, gjithmonë e më mirë, me sfungjer apo shparcë, që të pastrohet nga këllirat e thellësive? Për të qënë më i qartë, po i bie edhe më shkurt: a ka sapun që mund të lajë shpirtin e njeriut, ndërgjegjen e tij?
Sapun për shpirtin? – mund të habitet shumëkush midis nesh, por ndoshta edhe larg nesh. Po, po, madje jam i bindur që do të ishte një shpikje tmerrësisht e rëndësishme: kur na qelbet fytyra aq sa nuk kemi sy e faqe t’i dalim përpara as vetes, as dikujt tjetër, atëherë e lajmë me sapun, e lyejmë me krem, i bëjmë, pra, tualet, dhe jemi të nderuar në sytë e vetvetes duke u parë në pasqyrë, por edhe më të nderuar në sytë e të tjerëve që as nuk e përfytyrojnë dot se ç’na përmbajnë rropullitë e shpirtit; kur na qelbet shpirti me pisllëqet që bëjmë, do të ishte diçka e shkëlqyer sikur të kishim një sapun për të larë shpirtin tonë të fëlliqur që të tjerëve t’u dukeshim moralisht të pastër, sepse, ç’është e vërteta, ende nuk është shpikur një pasqyrë për të parë shpirtin tonë. Po prania e tjetrit – prind, motër, vëlla, shok, psikolog, punonjës social, madje edhe prift apo hoxhë, a nuk është vallë një pasqyrë ku kundrojmë, pas çdo veprimi, shpirtin tonë të pastër apo të përlyer? Po, është, veçse mjerisht jo për të gjithë. Çka e dëshmon edhe fakti, ndër të tjera, që qeveria Berisha 2 i ka shpallur luftë korrupsionit, sigurisht jo në industrinë e sapunit, por në industrinë e rëndë, e përbindshme të pastrimit, të riciklimit të parave të pista në çdo sektor – ekonomik, social, arsimor, kulturor, politik, etj. – të jetës shqiptare. Ja tek përdora përsëri fjalën intriguese “etj.” që lexuesi i vëmendshëm dhe i paanshëm i rubrikës sime ta vrasë më shumë mendjen në këtë drejtim për të ndihmuar sado pak shtetin dhe shoqërinë shqiptare me ndonjë sugjerim lidhur jo me sapunët e pasqyrat e importuara që ofron sot tregu ynë, por me kurajon qytetare për t’ju kundërvënë haptas pisllëkut shpirtëror të çdokujt rreth nesh, pavarësisht pushtetit me të cilin është veshur.
Por le të kthehemi te fjala “sapun” dhe të këqyrim se ç’shprehje frazeologjike, që e përmbajnë atë, na propozon Fjalori i gjuhës shqipe. Katër janë ato: 1. “e hëngri (e mori) sapunin për djathë” në kuptimin “u gënjye, u mashtrua”, shprehje kjo shumë aktuale te ne, ku mashtrimi vazhdon të jetë në rendin e ditës, madje edhe të natës, në të gjitha hallkat e shoqërisë shqiptare, ku më shumë e ku më pak, çka shpjegon përse ne konsumojmë më tepër sapun sesa djathë. 2. “janë si sapuni me shparcën” në kuptimin “rrinë gjithnjë bashkë, nuk ndahen kurrë”, edhe kjo shprehje shumë aktuale te ne, ku vihet re rëndom dukuria në fjalë, d.m.th. të qenit “bythë e brekë” me dikë, mundësisht me pozitë. 3. “sapun mbi gunë” në kuptimi “diçka që bëhet sa për sy e faqe, mashtrim”, çka na kthen drejtpërdrejtë te shprehja nr. 1 dhe u përshtatet më së miri premtimeve të politikanëve tanë, pushtetarë apo opozitarë qofshin ata. 4. “sapun pa shkumë” në kuptimin “diçka e padobishme, bisedë pa bukë”, çka lidhet gjithashtu me aktualitetin tonë ku ka edhe “bixhoz pa pare” (ndonëse ai me pare, në të gjitha sferat nuk është i paktë).
Siç mund dhe duhet ta ketë vënë re lexuesi i vëmendshëm dhe i paanshëm i rubrikës sime, në Fjalorin e gjuhës shqipe mungon togfjalëshi frazeologjik “flluskë sapuni” në kuptimin “premtim i pambajtur”, megjithëse flluskat e sapunit janë bërë kaq të zakonshme në Shqipëri, sidomos kur u  dalin nga goja politikanëve të të gjitha ngjyrave, shijeve e tingujve, madje jo vetëm nga goja me dhëmbë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›