E Shtunë, 31 Tetor 2026

Autizmi, sëmundja që po trondit dhe kërcënon botën

Tiranë – Autizmi është një ndër sëmundjet ku pavarësisht shqetësimit të shumë prindërve vazhdon të ketë probleme të shumta në edukimin dhe trajtimin e fëmijëve të prekur. Pas padisë së bërë ndaj Ministrisë së Arsimit nga shoqata Prindër kundër autizmit për t’i krijuar kushtet e arsimimit kësaj kategorie njerëzish, në një intervistë për Gazetën IDEA Drejtoresha e qendrës Fluturo për jetën  Denada Toçe shprehet se shkollimi nuk duhet të jetë prioritet i prindërve si shkollim në vetvete, por si një fazë në të cilën duhet të kalojnë këta fëmijë për ti shkathtësuar në marrëdhëniet sociale dhe komunikuese. Toçe flet edhe për përmasat e kësaj sëmundjeje të rëndë dhe mënyrat se si ata mund të trajtohen.

Cilat janë shkaqet e autizmit?
-Sot ne nuk i njohim ende një shak të autizmit. Autizmi është një ç’rregullim neurobiologjik i gjithëanshëm që zgjat gjithë jetën. Bën pjesë në grupin e ç’rregullimeve të njohura si ç’rregullime të spektrit autik (ASD)

Sa janë të prekurit nga Autizmi?

-Deri më sot autizmi në Shqipëri ka qenë trajtuar si një ç’rregullim dhe deri një dekadë më parë, pra deri para hapjes së qendrës, filloi të flitej më shumë për të. Në Shqipëri nuk ka ende një numër të saktë për të treguar se sa janë të prekurit nga autizmi por botërisht sot 1 në 100 vetë diagnoztikohen me autizëm, duke e bërë këtë të fundit më të shpeshtë se kanceri, diabeti dhe AIDS të marra së bashku.

Si trajtohet sot Autizmi në Shqipëri?

-Sot trajtohet në mënyrën më profesionale dhe me specialist të trajnuar nga ekspertët më të mirë.

A është e nevojshme krijimi i institucioneve arsimore për këta persona të prekur nga kjo sëmundje?
-Absolutisht të gjitha institucionet e edukimit, p7rmes të cilave kalon çdo fëmijë tipik (fëmijë me një zhvillim normal) vlen të jetë e përshtatshme edhe për këta fëmijë me këto probleme. Nevoja që kanë këta fëmijë është ajo e ndihmës së specialistëve në këtë fushë, këtu vlen për tu theksuar se shkollimi i këtyre fëmijëve kërkon një trajtim intensive të hershëm, mundësisht që në momentin kur shfaqen simptomat e para.

Përse është e rëndësishmë trajtimi i këtyre fëmijëve që në shfaqjen e simptomave të para?

-Autizmi mbetet ende një ç’rregullim i trajtueshëm por jo i kurueshëm dhe i shërueshëm. Nga eksperienca e deritanishme eshte konstatuar se sa më herët të bëhet ndërhyrja aq më të mira duket të jenë rezultatet.

A është i rëndësishëm shkollimi i këtyre fëmijëve?

-Shkollimi i këtyre fëmijëve është i rëndësishëm sidomos në ato raste kur predispozita dhe niveli i ç’rregullimit të tij e lejon ecurinë e fëmijës në hapa të rëndësishëm për të arritur një autonomi në jetën sociale. Shkollimi është një mjet për të arritur qëllimin që të mund t’i shkathtësojmë në arritjet akademike, sociale, ndërvepruese në marrëdhëniet e komunikimit por nuk është shkollimi qëllimi në shkollë.

Përse nuk lejohen këta fëmijë të shkollohen në të njëjtat ambjente me fëmijët që nuk i kanë këto probleme?

-Këta fëmijë kanë nevoja të veçanta, duhet të shkojnë në shkolla në të cilat i plotësohen disa kushte dhe kanë një mjek të specializuar të atashuar dhe në shkollat ku studjojnë fëmijë pa probleme të tilla këto kushte nuk plotësohen.

Toçe shtoi gjithashtu se është e nevojshme krijimi i qendrave residenciale për fëmijët autik dhe se Fondacioni i Fëmijëve Shqiptarë po ngre një fondacion të tillë ku të mund të kurohen persona me probleme të tilla. Ndërkohë që punimet për ngritjen e një shoqate të tillë vazhdojnë, shqetësimi i prindërve për arsimimin e fëmijëve të tyre me probleme autizmi vazhdon të jetë po i njëjtë.

Intervistoi Erisa Sallaku / IDEA

Shkrime të tjera me interes:

  1. Marksi kishte të drejtë? Kriza në SHBA trondit kapitalizmin
  2. Pushtimi i Wall Street, protesta kopjohet në gjithë botën
  3. UNICEF: 25% e fëmijëve shqiptarë në varfëri të plotë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›