Autizmi te fëmijët,mblidhen gjithë aktorët vendimmarrës
Rreth 1 në 160 fëmijë në Shqipëri lind me autizëm, çka e bën domsdoshmëri marrjen e masave për parandalimin e kësaj sëmundje. Autizmi është një paaftësi zhvilluese e përjetshme, e cila ndikon në mënyrën se si fëmija sillet dhe komunikon me të tjerët. Në konferencën e dytë mbi Autizmin u diskutua çfarë duhet bërë për të shpëtuar jo vetëm fëmijët, por edhe prindërit e tyre. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, theksoi se duhen fonde të veçanta në ndihmë të fëmijëve autiste. “Duhet të mendojmë për një politikë kombëtare. Në buxhetin e ardhshëm ne do të vendosim një fond të veçantë, ndërkohë që do të japim edhe asistencë”, tha Topalli. Ndërsa Ministri i Shëndetësisë tha se kjo sëmundje do të futet ndër prioritetet e shëndetit publik. “Duke qenë se Autizmi është shndërruar në një çështje madhore për shëndetin publik, jo vetëm në vendet e zhvilluara por edhe në vendet në zhvillim, ne duhet të veprojmë shpejt, veçanërisht me ndërhyrjen e hershme, pavarësisht se shkaqet dhe mjekimi i vërtetë akoma nuk janë gjetur”, tha Vasili. Ndërkohë ai i kërkoi Shërbimit të Psikiatrisë së Fëmijëve dhe Adoleshentëve si dhe Fondacionit ‘Fëmijët Shqiptarë’ të hedhin në letër strategjinë e ndërtimit të sistemit të kujdesit për fëmijë dhe adoleshentë. Kjo që në mënyrë integrale të vizualizojnë si duhet të duket ky sistem pas pesë ose dhjetë vitesh, përfshirë këtu edhe shërbimet për fëmijët autikë në këtë drejtim dhe ju siguroj se përkrahja ime do të jetë maksimale. Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, premtoi një strategji të posaçme edhe për arsimimin e fëmijëve autistë, por dhe në përgatitjen e stafit pedagogjik në lidhje me këtë sëmundje. Duke vënë theksin në rëndësinë dhe veçantinë që ka kjo sëmundje për moshat e hershme, Ministri i Arsimit qartësoi vlerën që merr reforma e sistemit të përgatitjes së mësuesve dhe edukatorëve. “Sfida e parë e MASH-it do të jetë përgatitja e mjaftueshme pedagogjike dhe psikologjike e mësuesve tanë në të gjitha nivelet, veçanërisht të atyre për arsimin parashkollor dhe atë 9-vjeçar”, tha Tafaj. Konferenca me temë “Nga Shkaqet te Trajtimet” u organizua nga Fondacioni “Fëmijët Shqiptarë”, me Presidente zj.Liri Berisha në bashkëpunim të ngushtë me “Autism Speaks” në New York dhe Shërbimin e Psikiatrisë së Fëmijëve dhe Adoleshentëve në QSUT. Projekti synon t’i ofrojë specialistëve shqiptarë një paketë trajnimi falas në lidhje me modelet e trajtimit dhe diagnostifikimit të çrregullimeve të spektrit Autik.