Zbarkon Tirana, Luzi në festë
Tirana do të luajë takimin e parë ndaj Luzit 2008 në turin e parë të Kupës së Shqipërisë. Flitet veçse për këtë takim. Për këtë qytezë të vogël mes Kavajës dhe Rrogozhinës, mbërritja e skuadrës kampione shihet si eveniment i madh. Shumica e lidhin me fatin në hedhjen e shortit, ndërsa të tjerë as që duan t’ia dinë për rezultatin, mjafton që në fushën e tyre do të zbresin kampionët bardheblu. Natyrisht nuk ke nevojë për publicitet pasi qoshet e stadiumit të vogël duket se janë prenotuar që një ditë para ndeshjes. Për Luzin futbolli është ndër të vetmet veprimtari argëtuese dhe kur ndaj tyre luan një kundërshtar i përmasave të Tiranës, atëherë reklamimi nuk ka nevojë për fjalë të bukura dhe ndjellëse. Skuadra është krijuar vetëm një vit më parë dhe për këtë sezon luan për herë të parë në një kompeticion të tillë si Kupa e Shqipërisë. Ndërkohë për trajnerin e skuadrës Ndriçim Kashami ndeshja kundër Tiranës është një përballje e veçantë dhe historike. Ai shprehet shumë i kënaqur me shortin pasi rëndësi për të ka që tifozët të kënaqen, ndërkohë që rezultati nuk ka rëndësi. “Jam shumë i kënaqur që do të kemi përballë Tiranën. Është ekipi kampion në fuqi dhe ne deri më tani nuk kemi luajtur me asnjë skuadër të këtij rangu. Për ne është diçka e veçantë dhe mezi e presim një ndeshje të tillë. Dihet niveli i Tiranës ndaj ne nuk kemi pretendime, por e rëndësishme është që të pranishmit në stadium të kënaqen. Rezultati për mua nuk ka rëndësi. Ne synojmë të zhvillojmë një ndeshje të bukur dhe emocionuese”, është shprehur tekniku vendas. Ndërsa presidenti i klubit Lavdërim Lusha shkon më tej teksa pohon se është duke përgatitur një pritje të veçantë për ekipin bardheblu. “E pohoj me krenari se dita e 21 tetorit do të jetë e gjitha festive në fushën sportive Luzi 2008. Së bashku me drejtorin teknik Altin Rraklli që ka qenë ish-futbollist i Tiranës, që dje kemi negociuar hartimin e po saktësojmë konkretizimin e një plani masash për t’i rezervuar Tiranës një pritje sa më dinjitoze”, ka pohuar presidenti.