E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji kundër duhanit, rikthehen gjobat në spitale

 

zirina llambro

Rinis aksioni i Ministrisë së Shëndetësisë për zbatimin e ligjit që ndalon duhanin në vendet publike. Me urdhër të kreut të këtij dikasteri, Petrit Vasili, një grup inspektorësh sanitarë ka nisur kontrollet.
Ata që në daljet e tyre të para në terren janë përballur me jo pak raste të shkeljes së ligjit. Ndërkohë që janë zbatuar masat paralajmëruese për shumë subjekte, deri në gjoba financiare siç është rasti i pavijonit të konsultave kirurgjikale pranë qendrës spitalore “Nënë Tereza”. Në mungesë të shenjës dalluese, që tregon se ndalohet duhani, është aplikuar masa e gjobës 50 mijë lekë. “Shumë shpejt do të vendosen gjoba dhe masa të rënda ndëshkimore për të gjithë shkelësit e ligjit”, tha drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli. Ndërkohë për kryeinspektorin sanitar të Republikës, Gazmend Bejtja, kërkoi më shumë bashkëpunim. “Inspektorati Sanitar ka pjesën e vet të përgjegjësisë, por kërkohet bashkëpunim me të gjitha institucionet e tjera që ligji të mirëfunksionojë. Gjithë armata jonë e inspektorëve, duke filluar nga dita e sotme, është në terren”, tha Bejtja.  Ndonëse është kërkuar ndryshimi i disa amendamenteve që lehtësojnë zbatimin e ligjit antiduhan nga shkelësit e tij, Ministria e Shëndetësisë kërkon angazhimin e të gjitha strukturave shtetërore për disiplinimin e duhanpirësve nëpërmjet ndëshkimit të subjekteve. Por në fakt ndonëse ka tre vjet që ligji kundër duhanit është miratuar, aksione të kësaj natyre kanë rezultuar të mos kenë asnjë ndikim në sensibilizimin e popullatës. Ato kanë qenë afatshkurtra, ndërkohë që ligji që në nisjen e tij ka rezultuar i dështuar. Me kapacitetet aktuale të inspektorëve është i pamundur monitorimi i tij, sidomos gjatë orëve së pasdites dhe të darkës kur përfundon orari zyrtar i punës. Edhe vetë specialistët e shëndetësisë e kanë cilësuar ligjin të pazbatueshëm në kushtet aktuale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›