E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Universitetet të hapin mastera për mësuesit e profesionaleve”

 

“MASH inkurajon shkollat e larta të hapin kurse të shkurtra dhe ato të masterit për mësuesit e shkollave profesionale. Gjithashtu cilësia kërkon edhe një infrastrukturë fizike e laboratorike, praktikë moderne e metoda bashkëkohore të mësimdhënies”. Këtë deklaratë bëri dje Ministri i Arsimit Myqerem Tafaj, duke bërë publike objektivat në këtë sektor. I pranishëm në prezantimin e fazës së dytë të projektit AlbVET në Tiranë, mbi lidhjen e arsimit profesional me tregun e punës, Tafaj paraqiti sfidat e MASH-it në këtë nivel arsimimi. Ai vlerësoi se kryefjala e Arsimit Profesional në Shqipëri do të jetë cilësia e mësimdhënies dhe mësimnxënies. “Për të arritur cilësi të lartë, ne po mbështetemi me përparësi në kualifikimin e mësuesve, si dhe investimet për laboratorë dhe bazat e punës praktike”, tha Tafaj. Sa i përket bashkëpunimit me biznesin dhe pushtetin vendor, ai e konsideroi si një hallkë thelbësore në zhvillimin e Arsimit Profesional. “Ndërsa në nivelin e bashkëpunimit me ndërkombëtaret dhe partnerët e huaj, si dhe me Ministrinë e Punës e Çështjeve Sociale, duhet sjellë një dinamikë e re e veprimtarisë së Këshillit Kombëtar të AFP-së, për të arritur në një efikasitet maksimal në përdorimin e burimeve njerëzore dhe financiare në këtë fushë të arsimit” – theksoi Tafaj. Qeveria zvicerane ka mbështetur prej vitit 1993 Arsimin Profesional në Shqipëri, duke dhënë një kontribut total prej 13.2 milionë Euro.   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›