E Shtunë, 31 Tetor 2026

Familja e Remzi Hoxhës në protestë

 

Armand Bajrami

Në Gjykatën e Krimeve të Rënda kishte nisur dje seanca ndaj të akuzuarve për zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha në vitin `95, kur familjarët e "të zhdukurit" filluan protestën para godinës së gjykatës. Familjarët e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, zhvilluan dje një tubim paqësor para Gjykatës për Krimet e Rënda, ku kërkuan vendosjen e drejtësisë dhe gjetjen e trupit të njeriut të tyre të zhdukur prej 14 vitesh. Rreth 45 persona, të gjithë njerëz me lidhje të ngushta gjaku me Remzi Hoxhën qëndruan përreth 2 orë para hyrjes së Gjykatës. Familjarët pretenduan zvarritje të procesit dhe vonesë në zbardhjen e së vërtetës nga drejtësia shqiptare. Ata thanë se janë të zhgënjyer nga drejtësia dhe se protesta e tyre mund të përshkallëzohet. Ndërkohë që protestuesit nuk u druajtën as të hidhnin akuza se qeveria po mundohet të pengojë zhvillimin normal të këtij procesi. Në vijim, familjarët e Hoxhës marshuan deri para Ministrisë së Drejtësisë, ku qëndruan për disa minuta.
APELI 
"Përpos gjithçkaje, duam të paktën eshtrat e tij që të kemi një varr ku ta qajmë", shpreheshin dje njëzëri familjarët e biznesmenit shqiptaro-maqedonas Hoxha. Katërmbëdhjetë vjetori i zhdukjes së Hoxhës kishte mbledhur familjarët e tij, të cilët pohuan se nëse zbardhja e kësaj çështjeje nuk do të përshpejtohet ata do t'i drejtohen Gjykatës së Strasburgut. "14 vjet në pritje për një varr", "14 vjet në errësirë", "a ka drejtësi", "ku e kam babin" dhe parulla të tjera si këto qëndronin dje në duart e protestuesve. "Kemi ardhur të shprehim pakënaqësitë tona në lidhej me zvarritjen e procesit gjyqësor ndaj babait tim. Vetë fakti që nesër (sot) bëhen 14 vjet nga kjo ngjarje, tregon që është stërzgjatur ky proces. Edhe njëherë deshëm t'i tregonim qeverisë shqiptare, drejtësisë në Shqipëri se jemi shumë të zhgënjyer prej mënyrës se si po shkon ky proces. Të bëhet më tepër rreth kësaj çështjeje dhe të zgjidhet fati i babait tim sa më shpejt. Të paktën ne si familje të marrim eshtrat e tij", u prononcua dje për "Panorama"-n Ardian Hoxha, djali i Remzi Hoxhës, për rrëmbimin dhe zhdukjen e të cilit akuzohen katër ish-agjentë të Shërbimit Informativ. Sipas Ardian Hoxhës, autorët e zhdukjes së të atit janë të akuzuarit e Prokurorisë për Krimet e Rënda në këtë proces. "Fajtorët dihen. Pjesëtarët e SHIK-ut, shërbimit sekret të asaj kohe. Të akuzuarit e çështjes", u shpreh Ardiani, djali i Remzi Hoxhës. Ndërkohë që vëllai i biznesmenit Nexhmedin Hoxha u shpreh për mediat se çështja duhet të marrë fund këtë vit. "Ne do ta ndërkombëtarizojmë çështjen. Dua që çështja të mbyllet në këtë vit. Nuk dua më që të kujtojmë 15 vjetorin. Duam drejtësi. Nuk duam të zhgënjehemi. Nuk duhet të presim ekstradimin e Ilir Kumbaros nga Londra, i cili për 13 vjet ka marrë ndihma sociale në emrin e një kosovari", tha vëllai i Hoxhës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›