Sllovakia nuk solidarizohet me aleatët në BE për Kosovën
Shefi i diplomacisë sllovake Miroslav Lajçak ka konfirmuar për shtypin vendas se rreth çështjes së njohjes së Kosovës, Sllovakia nuk do të solidarizohet me aleatët në Bashkimin Europian. Për shkak të interesave nacionale, Sllovakia do të mbajë qëndrim specifik që të mos e njohë Kosovën, thuhet më tej në njoftimet mediatike. "Unë gjithnjë kam qenë ithtar i bashkësisë dhe solidaritetit me aleatë, por ekzistojnë situata kur pozicioni ynë nacional kërkon që të kemi qasjen tonë specifike. Kjo është tema e Kosovës, këto janë faktet që duhet respektuar", ka thënë Lajcak. Ministri Sllovakisë rikujtoi se për çështjen e njohjes së njëanshme të shpalljes së pavarësisë së Kosovës ekziston rezoluta e Parlamentit Sllovak që e obligon qeverinë. "Gjithashtu është e qartë dhe opinioni publik që flet vetëm për vete", theksoi Lajçak dhe shtoi se partnerët e Sllovakisë në BE dhe NATO kanë mirëkuptim për këtë, sikurse dhe përfaqësuesit e Kosovës.