Venezuelë, viktima gjatë protestës së opozitës
Një nxënës 15 vjeçar ka mbetur i vrarë dhe 9 oficerë policie janë plagosur në Merida të Venezuelës, gjatë një proteste kundër veprimeve të ndërmara ndaj RCTVI, stacionit televiziv kritik ndaj presidentit venezuelian Hugo Chavez. Protesta degjeneroi në dhunë dhe u përhap edhe në kryeqytetin Karakas, bëjnë të ditur mediat ndërkombëtare.
Në këtë të fundit forcat e rendit përdorën gaz lotësjellës për të shpërndarë mijëra të rinj që marshonin për të njëjtin motiv. Qeveria venezueliane njoftoi dje se do të kontrollojë rregullisht mediat një herë në katër muaj dhe kërcënoi se do të ndërpresë transmetimin e atyre që nuk zbatojnë rregullat. Gjatë protestave Policia e Venezuelës , përveç gazit lotsjellës, përdori dhe plumba plastikë kundër mijëra studentëve universitarë, për ta shpërndarë një protestë të organizuar prej tyre, pasi qeveria e presidentit Hugo Chavez vendosi për ndërprerjen e transmetimit të një televizioni opozitar kabllor një ditë më parë. por duke parë se protestat nuk po ndaleshin, autoritetet duket se kanë përdorur armët e zjarrit. Demonstratat shpërthyen pasi kompanitë kabllore, nën urdhërat e agjencisë së telekomunikimeve, shkëputën transmetimin e Radio Televiziont Karakas. Ky kanal tv nuk i kishte qëndruar strikt rregullave të reja, të cilat u kërkojnë kanaleve kabllore që të transmetojnë program të detyruar, përfshirë edhe disa nga fjalimet e Hugo Chavezit.