E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Autobusët u dogjën qëllimisht”

 

FIER/ MAJLINDA RAMA

Zjarri në parkun e autobusëve në Fier është i qëllimshëm, ndërsa shkak dyshohet të jetë konkurrenca. Pronarët e tyre kishin fituar tenderin për të nisur dje transportin e studentëve drejt Vlorës. Kjo është pista kryesore në të cilën po heton policia e këtij qyteti, në bashkëpunim edhe me ekspertë të ardhur enkas nga Tirana, për të gjetur gjurmët e autorëve. Burimet dyshojnë se zjarri mund të jetë vendosur me anë të eksplozivit të krijuar në mënyrë artizanale, i hedhur në brendësi të vendparkimit të automjeteve. “Lënda e përdorur mund të jetë benzinë, e ambalazhuar brenda në një shishe qelqi, e cila shpërtheu në pjesën veriore të parkimit”, bënë të ditur burimet policore. Nga veprimet e kryera deri më tani rezulton se dëmi i shkaktuar nga flakët që përfshinë gjithsej 11 autobusë, 9 prej të cilëve u shkrumbuan plotësisht, kap shifrën e 15 milionë lekëve të reja. Pronarët e mjeteve të djegura kërkojnë ndihmën e shtetit, të paktën t’u subvencionojë një pjesë të dëmit. Pas ngjarjes që ndodhi mbrëmjen e së dielës, policia e Fierit reagoi nëpërmjet një deklarate për shtyp, ku veç të dhënave dhe detajeve të hetimit, blutë “fajësuan” punonjësit e parkut për sinjalizimin e dhënë më vonesë. Ndërsa 2 rojet u shoqëruan në polici, pasi rezultoi se ata nuk kishin qenë në punë në momentin kur flakët përfshinë njëherazi autobusët. Sipas policisë, parku ku ndodhi shpërthimi kishte pak kohë që ishte bërë pronë e një shoqërie aksionere, e cila ende nuk ka një emër. Ambienti shërbente për parkimin e mjeteve, autobusëve dhe kamionëve. “Zjarri mund të jetë i qëllimshëm për shkak të konkurrencës. Në momentin e rënies së tij nuk ka pasur asnjë roje. Pronari i kësaj shoqërie nuk ka marrë asnjë masë kontraktuale me shoqëri të licencuara për ruajtjen dhe sigurimin e këtij objekti”, bëri të ditur policia. Një ditë pas flakëve, gjithçka e mbetur në park është një masë e madhe hekurishtesh, nga të cilat ende vazhdon të dalë tym. Vetë pronarët deklaruan dyshimet për zjarrvënie të qëllimshme për shkak të konkurrencës. Sipas tyre, dje shënohej fillimi i vitit të ri akademik dhe autobusët në fjalë shërbenin për transportimin e studentëve nga Fieri në Vlorë, pasi ata kishin fituar edhe tenderin. Pronarët akuzojnë pa emra shoqëri të tjera rivale që kryejnë të njëjtin shërbim. “Duhet të gjenden fajtorët e kësaj katastrofe, pasi na kanë lënë në mes të katër rrugëve. Dyshojmë për zjarrvënie me qëllim, pasi gjithçka ndodhi një ditë përpara fillimit të vitit të ri akademik”, u shprehën ata.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›