Digjet me benzinë makina e policit të paraburgimit
VLORE - Automjeti i një polici në dhomat e paraburgimit të komisariatit të e Vlorës është djegur mesnatën e së dielës, ndërsa autorët ende nuk janë identifikuar. Sipas policisë, ngjarja ndodhi rreth orës 02:00 në lagjen “Pavarësia” të qytetit. Automjeti tip “Isuzu”, me targa VL 0491 C, i cili kishte qenë i parkuar para pallatit ku banonte polici, mësohet se është djegur plotësisht. Nga hetimi i kryer dhe dëshmia e banorëve që kanë dëgjuar zhurma dhe kanë parë nga dritaret çfarë po ndodhte, rezultoi se dy adoleshentë kanë spërkatur me një bidon benzine mjetin e më pas i kanë vënë flakën. Efektivi i policisë, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, është marrë në pyetje mëngjesin e djeshëm. Ai ka mohuar të ketë pasur konflikte me njeri. Sipas policisë, nuk përjashtohet pista e hakmarrjes për shkak të detyrës. Ndërkohë po hetohet për të bërë të mundur identifikim e zjarrvënësve, pasi materialet i kanë kaluar prokurorisë së rrethit. q.b