Ministria: Kontrolli në prokurori rutinë, jo vetëm për Damir Fazlliç
TIRANE – Ministria e Drejtësisë reagoi dje pas deklaratave të organit të akuzës, se inspektorët e ministrisë kishin tentuar të kontrollonin forcërisht Prokurorinë e kryeqytetit. Në një njoftim zyrtar Ministra e Drejtësisë i quajti informacione dezinformuese ato çka kanë publikuar mediat për dy ditë me radhë, në lidhje me tentativën e inspektoratit të ministrisë për të kontrolluar prokurorinë. Sipas ministrisë, qëllimi i kontrollit nuk ishte dosja e Damir Fazlliçit, apo procedurave që kishin të bënin me këtë çështje, por edhe një kontroll i përgjithshëm i dokumentacionit të këtij institucioni, duke filluar që nga data 1 shtator e këtij viti. Duke e argumentuar ligjërisht urdhrin me të cilin ministri Enkelejd Alibeaj ka pajisur inspektorët, ministria pohon se ushtrimi kontrollit në Prokurorinë e Tiranës do të bëhej nga drejtori i Drejtorisë së Inspektimit në Ministrinë e Drejtësisë dhe do të fillonte në datën 10 tetor e do të përfundonte deri në marrjen e të dhënave mbi objektin e verifikimit. Pra, sipas ministrisë konstatohet, se objekti i kontrollit dhe verifikimit të këtij urdhri nuk ka të bëjë me marrje të dhënash apo verifikime të veprimeve hetimore konkrete apo akte procedurale hetimore, që i përkasin çështjeve konkrete, por vetëm me marrje të dhënash mbi rregullshmërinë ligjore të mbajtjes së regjistrave përkatës për efekte edhe statistikore. Në njoftim thuhet se dy ditë më parë, të shtunën, krerët e Prokurorisë së Tiranës kanë pranuar të marrin në dorëzim urdhrin dhe njoftimin e kontrollit në orën 15.45, duke firmosur marrjen në dorëzim të tij dhe protokollimin sipas ligjit. fa.ma.