E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapen 30 klandestinë shqiptarë

 

ITALI/FOXHIA

Policia italiane njoftoi dje ndalimin e 30 klandestinëve shqiptarë dhe kosovarë, që u kapën vetëm pak milje pranë brigjeve të vendit fqinj. Aksioni i policisë kufitare italiane filloi para se mjeti lundrues të prekte ilegalisht tokën apenine. Lajmi është publikuar nga mediat italiane, sipas të cilëve kapja e mjetit lundrues, tip varkë 13 metër e gjatë që mbante flamur kroat, u bë paraditen e djeshme nga Guardia di Financa pranë rajonit të Foxhias. Në bordin e mjetit lundrues ndodheshin 30 klandestinë, të gjithë shqiptarë dhe kosovarë, ndërsa pjesa më e madhe tyre ishin fëmijë, rreth 26, si dhe tre të rritur e një grua shtatzëne. Policia italiane pohon se, ka vënë në pranga drejtuesin e varkës, kurse gruaja shtatzënë është dërguar menjëherë në spital për t’iu nënshtruar kontrollit. Policia italiane ka bërë të ditur pas kësaj se emigrantët e tjerë po i nënshtrohen procesit të identifikimit.
Trafiku
Ndërkohë policia shqiptare pohon se, nuk ka pasur asnjë informacion që varka me 30 klandestinë të jetë nisur nga brigjet shqiptare. Sipas tyre, dyshohet se mjeti lundrues me 30 emigrantët e paligjshëm mund të ketë pikënisjen nga brigjet malazeze, ku janë grumbulluar klandestinët në fundjavën që lamë pas. Ende nuk dihet se cila është pagesa e klandestinëve dhe cilët janë organizatorët e trafikut. Ndërkohë mendohet se ndonjë prej personave që kanë organizuar trafikun e klandestinëve mund të jetë kamufluar mes emigrantëve, që ndodhen të shoqëruar në mjediset policore ku po i nënshtrohen seancave të pyetjeve. Mediat italiane, të cilët citojnë policinë lokale, pohojnë se ekzistojnë dyshime që tre të rriturit që ndodheshin në bordin e varkës me vela të jenë organizatorë të trafikut.
Varka
Ndërkohë ende nuk dihet orari dhe vendi i saktë i nisjes së mjetit lundrues, si dhe vendi ku do ankorohej. Gjithashtu nuk saktësohet sesa ka zgjatur udhëtimi me mjetin, i cili nuk mund të lëvizë shumë shpejt. Burime të lajmit sqarojnë se gjendja shëndetësore e klandestinëve të bllokuar nga policia italiane, shumica fëmijë dhe adoleshentë, paraqitet mirë, ndërsa kanë pretenduar se kanë pasur mungesa ushqimesh. Ndërkohë gjendja e detit ditët e fundit ka qenë e qetë, çka ka bërë që emigrantët të mos rrezikonin. Në informacionin që kanë dhënë gjatë marrjes në pyetje emigrantët kanë sqaruar se nga organizatorët njihnin vetëm drejtuesin e mjetit lundrues, ndërsa ky pas prangosjes është dërguar në qeli, ku pritet të merret në pyetje në lidhje me organizatorët.                   fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›