E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reduktohen licencat në varësi të Transporteve, nga 30 në 8



Ministria e Transportit ka vendosur heqjen e 22 licencave dhe lejeve në disa sektorë në vartësi të saj, pas vendimit të Këshillit të Ministrave. Nëse kërkon të hapësh një biznes për shërbim postar, agjenci transporti tokësor apo dhe detar, tashmë nuk do të duhet të marrësh një licencë apo leje, pasi mjafton vetëm të regjistrosh biznesin në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit. Por, heqja e këtyre licencave nuk ka ndonjë ndikim në buxhetin e shtetit, pasi ajo sot kushton vetëm 1 euro. Tetë licenca të tjera do të jepen nga pushteti vendor dhe po aq nga Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor. Ky vendim synon uljen e kohës së hapjes së një biznesi të ri. Tashmë nga 30 licenca që ishin në varësi të MPPTT-së mbeten vetëm 8. Vetëm pak ditë pas vendimit të qeverisë për reduktimin e numrit të licencave, MPPTT-ja ka konkretizuar këtë nismë, duke eliminuar 15 licenca dhe transferuar 8 të tjera. Reduktimi i numrit të licencave synon eliminimin e barrierave administrative dhe përmirësimin e klimës për biznesin. Drejtori i Reformave Rregullatore pranë MPPTT-së, Ymer Shllaku, tha se, do të jepen licenca për zbatim punësh publike dhe mbikëqyrje, kolaudim, transport ndërkombëtar udhëtarësh me autobus, shërbime në linjë të rregullt udhëtarësh me autobus, si dhe shërbime të rregullta të specializuara vajtje/ardhje ndërkombëtare udhëtarësh. Gjithashtu e drejtë e MPPTT-së do të jetë edhe pajisja me licenca për operim në linja të rregullta ndërkombëtare detare për transport automjetesh dhe/ose udhëtarësh, pilotim dhe omerxhim, tërheqje e mbeturinave të ngurta dhe vajore në portet detare dhe radat përkatëse, si dhe survejor i mjeteve lundruese. Në listën e rreth 22 licencave dhe lejeve që do të hiqen nga kompetencat e kësaj ministrie ndër më kryesoret janë ato për laborator të provave materiale të ndërtimit, për vlerësimin e pasurive të paluajtshme, transportin e mallrave të rrezikshme, shërbimi postar, etj. Në bazë të vendimit të qeverisë, të miratuar javën e kaluar, nga korriku i këtij viti licencat që jepen nga pushteti qendror do të reduktohen nga 160 në 62, ndërsa të tjerat do të sistemohen në "One Stop Shop".

Ernest Noka emerohet zëvendësministri i ri i Transporteve

Ernest Noka është emri i ri i zëvendësministrit të Transporteve, që ka filluar dje detyrën në këtë institucion. Lajmi bëhet i ditur për mediat nga burime brenda këtij institucioni, ku Ernest Noka zëvendëson në këtë post ish-zëvendësministrin e Transporteve, Nikolin Jaka, i dënuar për më shumë se një vit me heqje lirie pas akuzave për korrupsion dhe shpërdorim detyre për tenderat e disa rrugëve. Noka me profesion inxhinier ka qenë zëvendësministër i Ndërtimit në vitet 1995-1996.

26 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›