Autobusi Tiranë-Athinë përplaset me trafikndarësin
DURRËS - Një aksident automobilistik ndodhi dje rreth orës 9 të mëngjesit pergjate aksit të autostrades Tiranë – Durrës. Autobuzi i linjës së transportit të pasagjerëve Tiranë – Athinë, në momentin që po i afrohej zonës së Sukthit, ndërsa po udhëtonte me shpejtësi dhe në një terren të lagur, duke kërkuar t’i shmangej fërkimit me ndonjë mjet që ka pasur në parakalim, ka devijuar dhe është përplasur me bordurat ndarëse prej çimentoje që kufizojnë krahët e akseve të autostradës. Ngjarja ndodhi pikërisht në kryqëzimin ku kjo autostradë lidhet me rrugëkalimin që të çon drejt Bashkisë së Sukthit. Përplasja ishte aq e fortë, saqë spostoi tre plloshata të bordurave ndarëse, si dhe copëtoi 3 të tjera që u përplasën me parapetet e parakolpit të autobusit. Fatmirësisht nuk pati të lënduar në pasagjerë, por vetëm dëme materiale. Policia e mbërritur menjëherë në vendngjarje mori masa për të ndihmuar pasagjerët, ndërsa u përpoq të vinte nën kontroll trafikun e krijuar në autostradë. Mësohet se rreth 45 minuta pati një bllokim total të qarkullimit, ndërsa më pas rinisi funksionimi vetëm me një korsi për katër orë. Shkak i këtij aksidenti mendohet të ketë qenë lagështira në rrugë, si dhe shpejtësia tej normave të lejuara. Ndërkaq, shoferi i autobusit me targa TR 4863 N u shoqërua në polici për të sqaruar rrethanat e plota të aksidentit.