E Diel, 1 Nëntor 2026

Taksisti, sekuestrohen 4,145 kg heroinë

OPERACIONI/ Mëngjesin e së enjtes ekspertët kundër krimit të organizuar zbarkuan në pikën kufitare të Kakavijës

26-vjeçari i arrestuar do të çonte në shtetin grek lëndën narkotike, ndërsa ende nuk është përcaktuar pikënisja

GJIROKASTËR – Një sasi heroine prej 4 kilogramë e 145 gramë u sekuestrua mëngjesin e djeshëm nga uniformat blu gjatë operacionit të koduar “Taksisti”. Burimet zyrtare të policisë bënë të ditur se mëngjesin e djeshëm, në pikën kufitare të Kakavijës u vu në pranga 26-vjeçari Blenard Grembi. I arrestuari, me një furgon me targa FR 6541 C, po tentonte të shkonte drejt Greqisë, ku do të çonte edhe lëndën narkotike. Vënia në pranga e 26-vjeçarit nga fshati Zharrëz i Fierit u realizua pas hetimeve të kryera nga policia dhe marrjes së informacionit se i riu do të transportonte lëndë narkotike për në vendin fqinj.

Mëngjesin e së enjtes, ekspertë të Drejtorisë kundër Krimit të Organizuar mbërritën në pikën kufitare të Kakavijës. Nisur nga vetë profesioni i 26-vjeçarit Blenard Grembi, që ishte nën hetim, operacioni i kryer nga ekspertët mori emrin “Taksisti”. Burime të policisë bënë të ditur se Grembi mbërriti në vendkalimin kufitar rreth orës 07:00 të mëngjesit të djeshëm. Pas paraqitjes në sportelin doganor për të kryer procedurat e nevojshme për daljen nga territori shqiptar, Grembit iu kërkua dalja nga automjeti dhe bërja e kontrollit të tij. Në kontrollin fizik të kryer në automjetin tip “mercedes benz”, policia konstatoi praninë e një sasie të konsiderueshme të lëndës narkotike. Droga ishte fshehur në pjesën e brendshme të furgonit dhe pikërisht ngjitur me kamion e marshit manual, brenda një çante të zezë. Sasia e lëndës narkotike, të dyshuar si heroinë ishte e ndarë në tetë pako, të cilat në total peshonin 4,145 kg. Bëhet e ditur se Greqia ishte destinacioni përfundimtar i drogës, por ende nuk dihet se nga është marrë.

Pas gjetjes së lëndës narkotike, policia prangosi 26-vjeçarin, ndërsa sekuestroi, veç drogës, automjetin, shumën prej 500 eurosh dhe 8 mijë lekësh, si dhe tre aparate celularë. Çështja tashmë do të hetohet nga Prokuroria për Krimet e Rënda, ndërsa për Grembin është ngritur akuza e “trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike”. Arrestimi i 26-vjeçarit përbën rastin e dhjetë të sekuestrimit të lëndëve narkotike në pikat kufitare me Greqinë përgjatë këtij viti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›