Kalimi ilegal i kufirit prangos dy të rinj
POGRADEC- Ndihmuan dy emigrantë nga Korça për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme dhe përfundojnë në pranga. Mikel Berberi dhe Sulo Oparaku u arrestuan nga policia, në një kohë që mbi ta rëndon akuza e “dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt përfitimit”, vepër e kryer në bashkëpunim. Sipas akuzës, 26-vjeçari Berberi dhe 23-vjeçari Oparaku, të dy banorë të qytetit të Pogradecit, kanë shoqëruar dy shtetas nga Korça për në Greqi, duke marrë prej secilit nga ata, 500 euro. Burimet zyrtare thonë se të rinjtë kanë përdorur linjën Shqipëri-Maqedoni-Greqi për të arritur qëllimin e tyre. Kështu, pas kalimit nga brezi i gjelbër i kufirit, mbi fshatin Peshkëpi të Pogradecit, ata kanë kaluar në Shën Naum. Në manastirin e Shën Naumit kanë përdorur linjën e autobusit për në Ohër e më tepë në Gjergjeli, qytet në kufi me Greqinë. Më pas, shtetasit, përmes malit, kanë arritur të futen në shtetin grek. Një linjë e tillë e shfrytëzuar ka rezultuar e suksesshme për kalimin për në vendin fqinj, por edhe ka vënë në pranga dy të rinjtë nën akuzën e “dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt përfitimit”.