E Diel, 1 Nëntor 2026

Burgim të përjetshëm vrasësve të 21-vjeçarit anglez

PRETENCA/ Prokuroria kërkoi dënim kapital për dy të rinjtë nga Shëngjini për grabitjen e vrasjen e Eduard Krejthonit

LEZHË - Burgim i përjetshëm është dënimi i kërkuar nga prokuroria e Lezhës për Mario Pjetrushajn dhe Arlind Vukajn, të akuzuar për vrasjen e 21-vjeçarit Eduard Krejthon. Tetë muaj pas ngjarjes që tronditi jo pak opinionin vendas, organ i akuzës paraqiti konkluzionet përfundimtare të ngjarjes, duke kërkuar dënimin e dy të rinjve për akuzën e “vjedhjes me pasojë vdekjen”. Vrasje, grabitje dhe më pas hedhje në një pus për të fshehur krimin, ishin vepra që duhet të merrnin dënimin kapital, sipas përfaqësuesit të prokurorisë, i cili nuk ngurroi të kërkojë “burgim të përjetshëm”. Ndërkaq, avokatët mbrojtës, duke u shprehur se dënimi i kërkuar ishte shumë i rëndë, kërkuan rreth dy javë kohë për të argumentuar dhe paraqitur provat përfundimtare, kërkesë që çoi në shtyrjen e seancës gjyqësore.

Kërkesën e saj për dënimin me burgim të përjetshëm, organi i akuzës e bazoi në rrethanat rënduese. Kështu, prokurori, pasi vlerësoi faktet e mbledhura dhe dëshmitë e dy të akuzuarve, deklaroi në sallën e gjyqit se dëshmitë e Mario Pjetrushit dhe Arlind Vukajt kanë qenë kontradiktore, pasi asnjëri prej tyre nuk ka pranuar të ketë goditur viktimën me mjete të forta, por kanë fajësuar njëri-tjetrin. Ndërkaq, nga akti i ekspertimit rezulton se në trupin e të riut anglez ishin dy shenja goditjeje. Po sipas akuzës, Mario Pjetrushaj kishte njohje me viktimën dhe e kishte ftuar atë në malin e Shëngjinit për të konsumuar lëndë narkotike, hashash, në një kohë që bashkë me Arlind Vukajn kishin përgatitur grabitjen. Ekspertiza tregoi se në trupin e viktimës kishte edhe shenja të tjera dhune, çka nënkupton se viktima është përleshur më parë me të rinjtë, nga ku ka marrë edhe goditjet e para. Pasi e kanë shtrirë përdhe, atë e kanë goditur me levë fillimisht në kokë dhe më pas në qafë, për të siguruar vdekjen. Pas kësaj, Pjetrushi dhe Vukaj e kanë marrë trupin dhe e kanë hedhur në një pus për të fshehur gjurmët.

Me datë 2 shkurt të këtij viti Eduard Krejthon doli nga shtëpia e nënës së tij në Shëngjin të Lezhës për të mos u kthyer më. Pas kryerjes së një telefonate, i riu anglez I tha së ëmës dhe motrës, që jetonin prej kohësh në Shëngjin se po dilte për të takuar një shok. Që nga ai moment, Eduardi nuk u duk më. Pasi nuk u kthye në shtëpi në mbrëmje, nëna e tij telefonoi Mario Pjetrushin, por ky i fundit iu përgjigj se i biri ishte larguar në drejtim të Tiranës me disa miq anglezë. Pritja rezultoi e kotë për familjen angleze, pasi edhe pas shumë ditësh dhe kërkimeve nga policia, ai nuk u gjet. 10 ditë pas zhdukjes së 21-vjeçarit, disa fëmijë që ruanin bagëtinë, njoftuan se në një pus pranë një banese të braktisur ndodhej një kufomë. Mbërritja në vendngjarje e policisë zbuloi trupin e Eduard Krejthonit. Vetëm një ditë më pas u zbulua autorësia e Mario Pjetrushajt dhe Arlind Vukajt, në një kohë që krimi u pranua prej tyre. Dy autorët u shprehën se grabitjen e planifikuan dy ditë para kthimit të Krejthonit në vendlindjen e tij. Ata deklaruan se krimin e kryen nën efektin e lëndëve narkotike. Por, pas vrasjes ata i morën 21-vjeçarit varësen, byzylykun dhe telefonin celular, sende të shitura nga Vukaj dhe një pjesë e tyre e përdorur në lojëra fati.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›