E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasan, grabitje xhamish gjatë natës

VJEDHJET/ Duke gdhirë dita e enjte në qytet është vjedhur Xhamia Mbret, Xhamia e Pashës, si dhe një OJQ

ELBASAN- Kanë përdorur minaren e shkatërruar nga komunizmi për të hyrë brenda dhe për të vjedhur paratë e dhuruara nga besimtarët për xhaminë simbol të besimit mysliman në Elbasan, Xhaminë Mbret. Ngjarja ka ndodhur gjatë natës dhe është konstatuar vetëm në mëngjes nga përgjegjësi që thërret mëngjesin për faljen e besimtarëve i cili ka parë dyert e hapura dhe sirtarët e hapur të bibliotekës. Në të njëjtën natë është sulmuar edhe Xhamia e Pashës, ku janë thyer dyert, por fatmirësisht nuk është vjedhur gjë, pasi autorët janë vënë në kërkim të parave. Por vjedhjet nuk janë ndalur këtu, pasi në të njëjtën orë është konstatuar edhe vjedhja e zyrave të një organizate joqeveritare, ku mungonin 2 aparatë fotografikë, një kompjuter laptop dhe 25 mijë lekë të reja.

Vjedhja në Xhaminë Mbret

Xhamia Mbret është vënë edhe herë të tjera në shënjestrën e hajdutëve. Mësohet se rruga që kanë ndjekur autorët e vjedhjes ka qenë ajo e një tubi hekuri ngjitur me minaren e dëmtuar të xhamisë. Pasi janë ngjitur në katin e dytë, kanë zbritur nëpërmjet shkallëve dhe kanë mbërritur tek çelësat në një prej rafteve të bibliotekës. Me çelësat kanë hapur kanatet duke gjetur në fund qesen me monedhat që arrinin në 500 mijë lekë. Menjëherë pas konstatimit të vjedhjes, është lajmëruar policia. Një ekip hetimor ka grumbulluar edhe provat e nevojshme për të zbuluar autorësinë e këtij krimi, që është përjetuar keq nga besimtarët, të cilët thonë se ka qenë akti i personave të papërgjegjshëm, pasi askush nuk do të arrinte të vidhte paratë e dhuruara.

Prononcimi

Imami i Xhamisë Mbret, Gëzim Karaj, thotë se ka ndodhur një vjedhje në ambientet e xhamisë edhe për faktin se kjo xhami nuk ruhej nga roje. “Nisur nga kjo ngjarje, vendosëm të vëmë edhe një roje. Nuk dimë se kush mund të ketë qenë, por mendojmë se objekte si Xhamia Mbret nuk mund të preken. Ajo nuk është vetëm një objekt kulti, por edhe një monument kulture që cilësohet si pasuri kombëtare. Është e vërtetë që dyshojmë se autorët kanë hyrë nga minarja e dëmtuar që ka mbetur prej shumë vitesh në gjendje të tillë pa u vënë dorë. Realisht, kërkojmë dhe kemi bërë kërkesë për ta kthyer minarenë në identitet”,- tha Karaj. Vjedhja e regjistruar në objektin më të rëndësishëm të Kultit ka qenë një goditje e rëndë jo për shumën e marrë, por për veprimin. Shumë besimtarë, por edhe qytetarë, e kanë dënuar veprimin duke kërkuar vënien para drejtësisë sa më shpejt të autorëve. Ndërkohë, policia ka nisur hetimet duke shoqëruar disa persona, por ende nuk ka një emër autori për vjedhjet e realizuara një natë më parë në Elbasan.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›