I mbijetuari: Dëgjova ulërima
Gentian Meçi, një nga të mbijetuarit e aksidentit të djeshëm, nuk ishte në gjendje të kujtonte se si autobusi doli nga rruga. Nga tronditja e pësuar kishte humbur ndjenjat dhe ishte kthjelluar vetëm kur mbi kokën e tij qëndronin disa mjekë.
I dërguar fillimisht në qendrën mjekësore të komunës Gjegjan e në spitalin e Pukës, më pas, rreth orës 19:30 ai është dërguar për në Shkodër së bashku me Ilir Prendin, 10 vjeç, një tjetër i plagosur në aksident. Sipas bluzave të bardha të spitalit të Shkodrës, 19-vjeçari Meçi dhe 10-vjeçari Prendi, të mbijetuar nga aksidenti tragjik, janë paraqitur në spital me plagë të shumta dhe hematoma. Ndërkohë që të dy shfaqnin shenja të humbjes së përkohshme të kujtesës, duke mos mbajtur mend pothuajse asgjë nga momenti i aksidentit. Mbrëmjen e djeshme, Gentian Meçi paraqitej më i fortë nga ana emocionale dhe ishte në gjendje të fliste apo të jepte disa sqarime në lidhje me vendmbërritjen e tij. Por ai nuk mbante mend se si kishte ndodhur që autobusi kishte rënë në humnerë. Gentiani thotë se ka dëgjuar ulërima në momentin e fundit. Më pas nuk kujton asgjë, pasi është përmendur në spitalin e Pukës. Madje, ai nuk dinte se drejtuesi i autobusit, 48-vjeçari Zef Marku, kishte vdekur. "Do Zoti nuk e ka gjetur gjë - pohonte ai, duke rënkuar nga dhimbja, - pasi ishte burrë i mirë dhe shofer i mirë. Kam udhëtuar shpesh me të". Pranë Meçit qëndronte dje xhaxhai i tij, Gjin Meçi, i cili e kishte shoqëruar nipin që nga spitali i Pukës e deri në spitalin e Shkodrës. Telefoni celular i tij nuk pushonte së rëni nga miq dhe të afërm të shumtë të Gentianit, që interesoheshin për gjendjen e tij shëndetësore. Xhaxhai i Gentianit tha dje se nga djali i tij kishte mësuar se një autobus, ku ishte edhe Gentiani, kishte rënë në humnerë dhe se kishte shumë të vdekur e të plagosur. "Menjëherë tentuam të lidheshim me celularin e Gentianit, por ai na dilte i fikur. Kjo gjë na bëri që ne të frikësoheshim dhe të kishim një parandjenjë të keqe mbi nipin tonë. Ndaj dhe ne u nisëm menjëherë nga fshati ynë Mesul, i komunës Gjegjan, për në drejtim të spitalit të Pukës. Pasi pritëm pak, një nga të plagosurit e shumtë që erdhi aty ishte edhe Gentiani. Nuk përshkruhet gëzimi që ne ndjemë në ato momente, kur e pamë me sytë tonë se ai ishte gjallë", u shpreh i përmalluar Gjini. Mes dhimbjeve të shumta në trup, Meçi, student i vitit të parë në degën Bio-Kimi në Universitetin e Shkodrës, rrëfen për gazetën "Panorama", tragjedinë e rëndë.
Ku ishit para se të hipnit në autobus dhe për ku po shkonit?
Pasi kisha dhënë provimin e parë para 3 ditësh, atë të Biologjisë Zhvillimore, u ndala për të ndenjur nja dy ditë tek xhaxhai im në Lezhë. Sot kisha menduar të kthehesha në shtëpi, në fshatin Mesul të Gjegjanit, pasi më duhej të mësoja për provimin e radhës që e kam ditën e mërkurë. Sa u ndava nga xhaxhai në Lezhë, i hipa një furgoni deri në Milot, për të pritur autobusin e linjës Durrës -Fushë-Arrëz. Hipa në të diku andej nga mesi, nga krahu i shoferit dhe u nisëm për Fushë-Arrës.
A mund të na thoni se si rrodhën ngjarjet gjatë rrëzimit të autobusit?
Të them të drejtën nuk mbaj mend asgjë nga rrëzimi i autobusit. Më kujtohet se kam dëgjuar vetëm ulërima në një moment e më vonë nuk di asgjë. Nuk di se si kemi rënë, ku kemi rënë dhe kush ka qenë shkaktari i tragjedisë. Di vetëm që e kam parë veten në spitalin e Pukës. Nuk mbaj mend nëse kam rënë në ujë apo në tokë. Kam bërë të ngrihem nga shtrati, por më dhimbte i gjithë trupi. Sikur kisha një raft të rëndë mbi trup mu duk vetja. Pasi më kontrolluan, mjekët e Pukës na hipën në një autoambulancë dhe na nisën për Shkodër. Kam ardhur unë dhe një djalë tjetër 10-vjeçar.
Sa vetë mund të kenë qenë në autobus dhe çfarë kishte më shumë?
Për nder nuk i kam numëruar, por mund të them që kanë qenë rreth 30 persona. Më së shumti mbaj mend të kenë qenë burra, pak gra, por kishte edhe fëmijë.
Mbani mend të ketë qenë koha e keqe, me shi me breshër?
Për aq sa mbaj mend unë, nuk e di të ketë qenë një kohë e tillë. Prandaj nuk mund ta them me siguri.