Autobusi drejt Athinës plot me drogë, pranga shoferëve
GJIROKASTER
Trafik droge në linjën e autobusit Tiranë - Athinë. Dy shoferët e shoqërisë së transportit të udhëtarëve “Lilo Turs” u arrestuan, ndërsa tre pasagjerët e vetëm që po udhëtonin drejt Greqisë u mbajtën për disa orë në ambientet e policisë. Të arrestuarit janë Fredinand Nano, 48 vjeç, dhe Ilia Goxhaj, 38 vjeç, që të dy nga Tirana. Gjatë kontrollit që iu krye autobusit nga policia kufitare e Gjirokastrës, në bashkëpunim me specialistët e Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar, u zbulua sasia prej 55 kilogramë drogë, e cila dyshohet të jetë marijuanë. Sipas burimeve të policisë, autobusi tip Neoplan, me targa TR 74 54 L, u kontrollua pas informacioneve të siguruara në rrugë operative për trafikun e drogës. Blutë kishin siguruar të dhëna se mjeti me targat e mësipërme do të trafikonte një sasi të madhe marijuane. Pas këtij informacioni, blutë e Gjirokastrës ishin vënë në pritje të autobusit prej tre ditësh. Dje, në orët e para të mëngjesit, autobusi vetëm me tre pasagjerë ka mbërritur në Kakavijë nga ku pas verifikimeve përkatëse në kufi do të kalonte drejt Greqisë. Specialistët e krimit të organizuar iu kanë kërkuar dy drejtuesve të autobusit të kryenin një kontroll. Efektivët kanë kontrolluar fillimisht mjetin brenda, e më pas vendin e bagazheve, por nuk ka rezultuar të kishte mall të dyshuar brenda saj. Më pas është vendosur të kontrollohej edhe pjesa e sipërme e tavanit. Në kasetën që shërbente për kondicionerët e autobusit, u konstatuan disa pako të mbështjella me letër ngjitëse ngjyrë kafe brenda, të cilave kishte sasi marijuane. Aty ndodheshin 55 pako në formë cilindrike me peshë 1 kilogram secila. “Autobusi së bashku me tre pasagjerë është shoqëruar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër. Pas identifikimit të poseduesve të lëndës narkotike dhe dokumentimit ligjor të këtij trafiku, u arrestuan dy shoferët e autobusit të linjës ndërkombëtare”, bëri të ditur zëdhënësi i Policisë së Gjirokastrës Gentian Mullai. Mbi dy të arrestuarit në kushtet e flagrancës rëndon vepra penale e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Mësohet se ata nuk kanë pranuar të flasin pa praninë e avokatëve. Në momentin e zbulimit të sasisë së drogës, ata janë shprehur të habitur duke mohuar dijeninë e pranisë së mallit në mjetin e drejtuar prej tyre.