Gaxhai, zbardhen vrasjet dhe përplasjet me Zani Çaushin në ‘97
Armand Bajrami
Pesë vrasje, dy grabitje të dhunshme me armë dhe një sërë veprimesh të tjera kriminale në formën e një grupi të mirëorganizuar e me plane të qarta, iu faturuan dje bandës së drejtuar nga Gazmend Brraka. Më poshtë gazeta “Panorama” boton pretencën e Prokurorisë në formën e paraqitur dje në gjyq ku theksohet se shumica e krimeve, madje fillesa e tyre erdhën si pasojë e rivalitetit dhe përplasjeve mes bandës së drejtuar nga “Gaxhai” dhe grupit të personave në krye të të cilit qëndronte Zani Çaushi. Pretenca
I pandehuri Gazmir Brakaj së bashku me një grup shokësh, nga qyteti i Vlorës, por dhe nga qytete të tjera, ndër ta edhe disa persona tashmë të vrarë, krijuan bandën që më pas do të njihej si banda e Gaxhajit (pseudonimi i të pandehurit Gazmir Brakaj). Të pandehurit pasi krijuan dhe morën pjesë në këtë bandë e deri në shpërndarjen e saj, aktivitetin kryesor kriminal e kanë kryer në Cerkovinë e në zonat aty pranë. Aktiviteti i të pandehurve që bashkëpunonin në kuadrin e një bande të armatosur filloi të bëhej më i konsoliduar e më i planifikuar pas konfliktit që banda e Gaxhait pati me bandën e Zanit (Myrteza Caushi). Të pandehurit në kuadrin e bandës së armatosur, përveç qëndrueshmërisë në bashkëpunimin për kryerjen e veprave penale, kishin dhe një organizim të planifikuar mirë. Kështu ata jetonin në atë periudhë së bashku në fshatin Cerkovinë. Gjatë ditës lëviznin të organizuar mirë me një grup makinash, frekuentonin gjithnjë të njëjtin lokal në atë fshat. Gaxhai gjithnjë lëvizte me persona të armatosur që e ruanin. Edhe mjetet me të cilat ata lëviznin në shumicën e veprave penale që ata kanë kryer ishin të njëjta, duke treguar një qëndrueshmëri në aktivitetin e tyre. Duke qenë në konflikt të hapur me bandat e tjera që vepronin në atë kohë në Vlorë, anëtarët e bandës së Gaxhait detyroheshin të kishin një organizim të planifikuar mirë për të ruajtur influencën në zonat ku vepronin. Banda e Gaxhait shkoi e organizuar mirë në Komisariatin e Policisë Vlorë, për të marrë blindat dhe për t’u mbrojtur nga banda rivale, duke treguar qëndrueshmëri, organizim dhe mjaft rrezikshmëri për rendin kushtetues në veprimet e tyre kriminale. Po t’i referohemi të gjitha vrasjeve dhe veprave të tjera penale të kryera nga të pandehurit në kuadrin e aktivitetit të tyre kriminal si bandë e armatosur, rezulton se pothuajse të gjitha këto krime janë kryer në funksion të konfliktit që ata kishin me bandën e Zanit, kryesisht pas vrasjes së Bernard Duckës, i njohur me pseudonimin “Kuqo” që ishte bashkëpunëtor i Gazmir Brakës. Të gjithë të pandehurit kishin nofka apo pseudonime dhe kjo indice u bë prezente para jush të nderuar z. Gjyqtarë nga dëshmitë e dhëna ku të gjithë shtetasit që dëshmuan përmendnin emrat e të pandehurve të shoqëruar me nofkat, me të cilat ata thirreshin e njiheshin. Gjatë këtij gjykimi, ne arritëm të sjellim para gjykatës dhe një tablo të rëndësisë dhe pozicionit të gjithësejcilit të pandehur në këtë bandë të armatosur. Siç edhe del nga ky gjykim, krijuesi dhe personi që organizonte gjithçka në këtë bandë ishte i pandehuri Gazmir Brakaj. Në të njëjtin rol rezulton të këtë qenë pozicionuar dhe shtetasi Alfred Nebiu (Kakami). Ndërsa të pandehurit Edmond Leskaj, Armando Suljemani, Sokol Sinomati dhe Gazmend Nebiu kanë qenë pjesëmarrës në këtë organizatë kriminale.
Vrasja e Sadik Kurtit
Më 24 prill 1997 është vrarë shtetasi Sadik Kurti. Nga provat e paraqitura rezulton se në datë 24.04.1997, rreth orës 21:40, disa persona të armatosur kanë shkuar në banesën e viktimës, ku kanë kërkuar të takohen me Mond Fshatarin (Edmond Leska). Pasi nuk e kanë gjetur në banesë, ata kanë marrë me forcë viktimën Sadikun dhe vajzën e tij M.Kurtin, e cila ka qenë më parë e martuar me të pandehurin Edmond Leska. Pasi kanë shkuar në afërsi të pallatit ku banonte Edmondi, personat e armatosur e kanë lënë të lirë vajzën dhe ajo rrugës duke shkuar për në banesën e saj ka dëgjuar të shtëna armësh. Më pas ajo së bashku me D. Leskën kanë dalë për të kërkuar Sadikun, të cilin e kanë gjetur të vrarë me dy plagë arme zjarri te cepi i pallatit pranë banesës së tij. M. Leskaj (Kurti), e bija e viktimës e cila ka qenë së bashku me të atin kur e morën nga banesa për ta vrarë, shpjegon se nga personat e armatosur ka mundur të njohë Gaxhain, pasi e kishte parë në një lokal në Radhimë kur ishte së bashku me Mondin, dhe ia kishte prezantuar i pandehuri Edmond.
Në deklarimin e saj të datës 03.11.1997, ajo ka pohuar se “Kam qenë e martuar me Edmond Leskaj. Me datën 24.04.1997 rreth orës 09:40 vijnë e trokasin te dera, hap derën mamaja ime dhe u futën brenda dy persona, një person i gjatë me armë zjarri që nuk e kisha parë ndonjëherë dhe një person tjetër me trup mesatar, dhe ky i armatosur, me flokë të kuqe me një mjekër normale, i veshur me rroba si ushtarake nga ato me lara, u futën brenda pyetën për Edmond Leskajn, ne u thamë që nuk është këtu, ata thanë që do të vish me ne ti dhe babai yt. Ne nga frika e armëve u detyruam të iknim pas tyre. Në kohën që vajtëm te pallati, pashë shumë njerëz të armatosur dhe unë i them babait që ky është kurth, në këtë kohë unë i ika atij personit që më mbante dhe futem te pallati jonë. Në kohën që unë ika me vrap, njëri deshi të më qëllonte me armë por e kapën, unë u futa te shtëpia e Dhimitër Qirjakos, por ata erdhën dhe më morën përsëri e më shpunë prapë poshtë. Në kohën që unë dola nga shtëpia e Dhimitrit vjen Drita Leskaj dhe u thotë që çkini me vajzën. Në këtë kohë babai i thotë Dritës që erdhën për Mondin. Drita thotë që Mondin e kam në shtëpi, ne na morën, vazhduan rrugën në drejtim të rrugës kryesore të qytetit, kur dolëm te cepi i pallatit të Edmond Leskaj, unë pashë një ‘benz 240’ D me ngjyrë të bardhë, në të cilin kishte persona të armatosur. Në kohën që ishim te rruga që të çon te Gjallica, ai që mbante babin, mjekroshi, i thotë atij që më mbante mua shtyje përpara atë dhe foli fort që të ikë në shtëpi i tha babit. Mua më çuan te cepi i pallatit nga ana perëndimore e pallatit në formë L, pas pesë minutash që po rrija aty dëgjova një të shtënë arme, mbas të shtimës së armës u ndez makina që ishte te pallati i Mondit dhe erdhi në drejtimin tim, makina ngeci para meje rreth 30 metra, e morën makinën e erdhën atje ku rrija unë, në makinë ishin rreth 5 persona, njëri ishte tek unë e dy ishin në këmbë. Mua më thanë që ik në shtëpi se babi është mirë. Unë erdha në shtëpi ku gjeta mamin, dola te dritarja dhe i fola Dritës nëse ishte babi aty dhe ajo me tha jo, ndërkohë del dhe Mondi dhe i them, hajde të kërkojmë babin, dolëm të dy së bashku me mamin dhe kur vajtëm te pallati 591 pamë të shtrirë babin, i cili ishte vrarë me armë zjarri, e morëm e dërguam në shtëpi ku pamë se e kishte marrë një plumb në ballë e një në nofull. Dua të theksoj që personi me mjekër që erdhi në shtëpi e kam parë 20 ditë më parë se të vritej babi, në buzë të detit afër Radhimës në një lokal, i cili u përshëndet me Mondin, kur ka ardh Mondi në shtëpi dhe e kam pyetur se kush është Gaxhai dhe ai mu përgjigj se Gaxhai është ai personi që kam përshëndetur unë kur ishim bashkë në Radhimë në lokal, ky personi që unë pashë në Radhimë erdhi te shtëpia e jonë…”. Konflikti midis Bandës së Gaxhait dhe asaj të Zanit ka arritur të përkeqësohet nga fundi i muajit prill 1997 dhe kulmin e ka arritur kur nga ana e Bandës së Zanit u vra dhe më pas u dogj Bernard Ducka (Kuqo) i njohur si pjesëtar i grupimit ku bënin pjesë të pandehurit që po gjykohen.
Vrasja e Avdyl Bajramit
Më 9 maj 1997 banda e Gaxhait ka rrëmbyer Bejo Bajramin, vëllain e Avdyl Bajramit, që njihej si përkrahës i bandës rivale të Zanit. Rrëmbimi është bërë për hakmarrje ndaj vrasjes së Bernard Duckës. Në fillim në spitalin civil të Vlorës është marrë peng vëllai tjetër i Avdylit, Mithati i cili është mbajtur peng deri në orën 01 të dt 10.05.1997. Më pas është lënë i lirë ai dhe është marrë peng Bejo Bajrami. Avdyl Bajrami pasi ka mësuar për marrjen peng të vëllait ka shkuar te rrethi i skelës Vlorë, për të liruar vëllain e tij. Gaxhai me bashkëpunëtorët e tij morën peng Avdylin në datë 10.05.1997 dhe e çuan te vendi i quajtur Kaminat e gëlqeres në Fshatin Kaninë, rreth 2 km larg qytetit të Vlorës. Aty Avdyl Bajrami është vrarë dhe djegur, pasi i kishin lidhur duar e këmbë me tela. Vrasja ka ndodhur pasi Pëllumbi kishte qenë anëtar i Bandës së Zanit dhe Gaxhai dyshonte se dhe ai kishte marrë pjesë në vrasjen dhe djegien e “Kuqos”.
P.Bajrami në datën 20.04.2004 ka shpjeguar se: “…nuk më kujtohet data por ka qenë muaji mars 1997, pas shpërthimit të depove të armëve, unë kam marrë pjesë në bandën e Myrteza Caushit, i njohur me emrin “Zani”. Nuk më kujtohet saktë, por duhet të ketë qenë nga data 08-09.03.1997 rreth orës 13.30, kur unë jam nisur nga shtëpia me automjetin tim tip benz 240, me ngjyrë të bardhë e kam shkuar tek dajua im Petrit Kaci, në lagjen e “ujit të ftohtë”, në vendin e quajtur gabinat e plazhit të ujit të ftohtë, ku u takova me shtetasin Afrim Rama i njohur me emrin “Luciano”, ndërsa 50 metra më tej ishte duke qëndruar Myrteza Caushi me Arben Latifin dhe shumë persona të tjerë, të cilët ishin të armatosur. Në këtë kohë në xhaden kryesore në drejtim të ujit të ftohtë, kaloi Leonardi, mbiemrin e të cilit nuk e di, i njohur me emrin “Kuqo” me një automjet tip “Golf” me ngjyrë të kuqe, i cili pasi më përshëndeti mua dhe “Lucianon” vazhdoi rrugën. Pasi bëri rreth 50 metra rrugë i dolën përpara Myrteza Caushi bashkë me Arben Latifin, të cilët qëlluan me breshëri automatiku në drejtim të Leonardit “Kuqos”, i cili mbeti i vrarë në vend. Më pas pashë që shpërtheu makina dhe mori flakë. Pas kësaj unë i thashë Lucianos se çfarë pati Zani ai më tha ska ç’të duhet ty dhe mori makinën e iku tek ata, ndërsa unë shkova te shtëpia e dajos tim e qëndrova deri të nesërmen. Rreth orës 11.00 kur shkova në shtëpi, nëna më thotë se Avdyli nuk ka ardhur në shtëpi, pasi ka ikur një ditë më përpara për të shkuar tek dajua në ujin e ftohtë, pasi u interesova mësova nga njerëz të ndryshëm se Avdylin e kishte vrarë banda e Gazmend Brakes (Gaxhai). Unë së bashku me nënën time, vjehrrin e Avdylit jemi vënë në kërkim të vëllait tonë, pasi kishim dëgjuar se vëllain e kishte transportuar në bagazh të makinës Gazmend Braka, duke kërkuar në të gjitha vendet ku vepronte banda e “Gaxhait”. Pasi kemi kërkuar në disa vende, nëna e ka njohur trupin e Avdylit në spitalin e Vlorës, të cilin e dërguam në banesë pas dy orësh me ambulancë. Kur kemi sjellë trupin e Avdylit në shtëpi, në oborr ka ardhur Zani me një grup dhe ai më ka kërkuar që të shkonim për të marrë hakun e Avdylit, por nuk i pranova dhe ata u larguan. Pas këtij momenti jemi larguar për në Tiranë …. Pas një viti takova Gaxhain në sallën e gjyqit në Tiranë, i cili sa më pa më tha që vrasjen e vëllait tënd e ka bërë Rrahim Mici, të cilin po dola nga burgu do ta vras, pasi ai është shkaktari që na ngatërroi me ju. Pjesëtarë të bandës së Gaxhait kanë qenë Kreshnik Abili, Krenar Grabova, Edmond Leskaj, Ilir Kokosi, Armando Sulejmani e Sokol Sinomati, Elton Tato, të cilët kanë marrë pjesë në vrasjen e vëllait tonë Avdyl. Theksoj se kur takova Gazmend Brakën në Gjykatën e Tiranës më tha se vëllain ta kam vrarë unë, por më detyroi Rahim Mici. Pra vëllain tim e ka vrarë Gazmend Braka, i detyruar nga Rahim Mici, dhe kjo është arsyeja që Rahim Mici është penduar më pas dhe e merr përsipër këtë vrasje se gjoja e ka kryer ai…”. Nga këto shpjegime duket qartë konflikti i hapur mes Bandës së Zanit dhe asaj të Gaxhait, por ritheksohet dhe mënyra e ashpër e ç’njerëzore e veprimeve të kryera prej të pandehurve gjatë organizimit të tyre në këto grupime kriminale.
Vrasja e Viron Rrapajt
Më 11 maj 1997 të pandehurit në mënyrë të organizuar kanë shkuar në Komisariatin e Policisë Vlorë, për të marrë një mjet të blinduar dhe para se të largoheshin kanë vrarë oficerin e Policisë shtetasin Viron Rrapaj. Lidhur me këtë ngjarje, gjatë këtij hetimi gjyqësor arritëm të provojmë se: Policia kishte të dhëna se bandat që vepronin në qytet do të sulmonin Komisariatin, për të marrë prej aty mjetet e blinduara. Në fillim rreth orës 11:00 të datës 11.05.1997, në Komisariat kanë shkuar tre-katër persona të armatosur dhe kanë hyrë në fillim tek oficeri i rojës. Aty njëri prej tyre është prezantuar si “Gaxhai” dhe ka kërkuar që të merrte kontakt me drejtuesit e policisë dhe ka kërkuar të merrte blindat për t’u mbrojtur nga Zani. Pas disa minutash, para Komisariatit të Policisë erdhën mjaft makina dhe prej tyre zbritën rreth 30-40 persona të armatosur, të cilët u futën në oborrin e Komisariatit. Pjesëtarët e organizatës kriminale kontaktuan me Oficerin e Policisë Haxhi Demiri, i cili u shpjegoi se nuk mund të merrnin mjetet e policisë. Pasi u sqaruan, personat e armatosur u tërhoqën nga Komisariati. Duke dalë nga oborri i Komisariatit, Alfred Nebiu (Kakami), ka parë policin Viron Rrapaj në derën e brendshme të Komisariatit dhe ka qëlluar në drejtim të tij duke e vrarë. Përveç Alfredit, deklaruesi Ilirjan Beqiri por dhe persona të tjerë që kanë qenë aty të pranishëm kanë mundur të njohin nga anëtarët e bandës, të pandehurin Gazmir Braka (Gaxhain), Sokol Sinomatin dhe Armando Sulejmanin, i cili kur u zhvillua ngjarja ka pasur një debat me policin Andrea Kanani (vdekur) për t’i marrë antiplumbin.
Vrasja e Dhimitraq Mishkës
Më 13 qershor 1997 në fshatin Armen, Vlorë, Robert Boraku i ka dalë përpara automjetit ku po udhëtonin Ligor Koreta, Dhame Koreta, Dhimitraq Mishka, Panajot Qirjo dhe Tako Mishka të cilët janë plagosur. Ai ka hapur zjarr duke tentuar të vriste këta persona. Nga shkëmbimi i zjarrit mbeti i plagosur dhe vetë Robert Boraku. Lidhur me këtë konflikt pas disa ditësh në datë 19.06.1997 Robert e Niko Boraku të dy të vrarë, së bashku me të pandehurin Gazmend Brakaj kanë vrarë dhe më pas djegur shtetasin Dhimitraq Mishka, kufoma e të cilit u gjend në vendin e quajtur Shamogjin. Gjatë këtij hetimi gjyqësor është provuar se po atë ditë banda e Gaxhait ka shkuar dhe e ka marrë viktimën në fshatin Mëkat tek klubi i vëllait të tij Andrea Mishka. Më pas e kanë çuar në Cerkovinë në qendër të fshatit ku dhe e kanë torturuar, më pas e kanë ekzekutuar në bazën eksperimentale në Shamogjin dhe më pas e kanë djegur kufomën. Lidhur me këtë krim janë pyetur disa persona të cilët konfirmuan dhe para gjykatës konfliktin mes viktimës dhe anëtarëve të bandës së Gaxhait, si dhe deklarojnë se anëtarët e bandës kanë vrarë shtetasin e mësipërm.
Vrasja e Zini Harunit
Më 19 qershor 1997 në vendin e quajtur Shamogjin, pranë një karburanti, anëtarët e bandës kanë rrëmbyer dy shtetasit Zini Haruni dhe Ardian Tase, të cilët ishin duke udhëtuar nga Fieri për në Vlorë. Ata i kanë marrë të dy me një fugon të bardhë dhe pasi kanë lëshuar Ardianin kanë marrë Ziniun e kanë çuar në Cerkovinë dhe më pas e kanë vrarë në datë 20.06.1997 te punishtja e mermerit pranë këtij fshati. Përpara kësaj gjykate, në lidhje me këtë ngjarje ka dëshmuar shtetasi Ardian Tase, i cili ka qenë i pranishëm kur kanë marrë viktimën anëtarët e bandës së Gaxhait. Ardian Tase në seancën e datës 04.04.2006 ka deklaruar se: “…Ka qenë verë e vitit 1997 kur unë së bashku me Zini Harunin e Ilir Sakon jemi nisur nga Fieri për në Vlorë për të marrë vëllain e Ilirit i cili ishte plagosur, gjatë rrugës te karburanti ullishtja në Cerkovinë na ndaluan ishin 10-15 veta, njohën Ziniun i thirrën hajde Zini, shoferin e lanë të iktë ndërsa ne të dy, mua e Ziniun na morën e na futën në fugon i cili ishte i bardhë. Më pyetën nga je, unë u thashë jam nga Fieri, ata thanë lëreni se nuk kemi punë me të. Mua më lanë dhe Ziniun e mbajtën. Kur na morën në fillim na rrahën pastaj na futën në fugon, personat në fugon ishin me maska, kur na futën në fugon ata thanë se Ziniun do ta vrasim të parin”. Ndërsa në deklarimet e dhëna përpara oficerit të policisë gjyqësore gjyqësore, me datën 21.01.2004 ka pohuar se “Pasi na hipën në fugon ata personat filluan t’i thoshin Ziniut ‘o Zini do japësh llogari për ato që ke bërë…’. Kam dëgjuar që Ziniu u është përgjigjur duke thënë ‘o Gaxha unë nuk kam bërë gjë…’. G.Begaj para gjykatës ka shpjeguar: “…Ngjarja ka ndodhur në vitin 1997 kur kanë qenë bandat, kam qenë në shtëpi i kam dëgjuar muhabet që është vrarë njëri te mermeri. Gaxhain e kam parë vetëm një herë në këtë ditë ishte me shokët e tij….Pengu është vrarë te mermeri, marrjen peng e dëgjova nga njerëzit e fshatit. Dëgjova se Gaxhai kishte kapur një peng dhe kishte ardhur në fshat me makinë, Gaxhain aty e kam parë për herë të parë…kam qenë duke lozur bilardo, pengun nuk e pashë direkt, pashë Gaxhain që zbriti nga një makinë benz i bardhë i mbyllur bashkë me disa shokë të tij…. Kam qenë larg makinës rreth 20 metra. Ishin të armatosur me automatik, nuk dëgjova biseda, pasi zbritën nga makina shkuan tek lokali i Ilmi Demajt, ndenjën aty rreth 10 minuta dhe ikën me makinë, pasi i ndoqi fshati sepse kishin kapur ne peng, sepse nuk e dinin çdo bënin me pengun. Ikën me të njëjtën makinë që erdhën dhe u kthyen përsëri pas 30 minutash me të njëjtën makinë dhe ndaluan përsëri tek i njëjti lokal. Dëgjova që kishin vrarë pengun. Gjatë kohës që u larguan ata dëgjuam një breshëri armësh. Drejtimi i breshërisë vinte nga mermeri. Kryeplaku i fshatit që e kam kushëri ishte prezent kur erdhën herën e pare. Bujari(kryeplaku) u ka thënë atyre të mos vinin aty, kur ndodhën këto kam qenë me vëllain. Karakteristikat e Gaxhait nuk i kam fiksuar. Gaxhai ka pasur xhaxhain në fshatin tonë Guri Braka. Zini Harunin nuk e kam njohur. Gazmend Brakën njëherë e kam parë. Banda e Gaxhait e Gaxhai nuk ka pasur ndonjë konflikt me fisin tonë …”
Si konkluzion të atyre çfarë shpjeguam më lart në lidhje me këtë episod ne arritëm të provojmë se Gazmir Braka së bashku me pjesëtarët e tjerë të organizatës së tij kriminale për rivalitet me grupin e Zanit e për hakmarrje ndaj këtij grupi ka marrë e më pas ka vrarë shtetasin Zini Haruni.
Vrasja e Robert Myftarit
Më 8 gusht 1997 në vendin e quajtur Skelë pranë lokalit “Miami” Vlorë, i pandehuri Sokol Sinomati, ka qëlluar me armë zjarri shtetasin Robert Myftari, i cili ishte duke udhëtuar me makinë me gruan e tij Amarilda Halili. Rreth orës 20:30, makinën me të cilën po udhëtonin viktima dhe bashkëshortja e tij, e ndaluan disa persona. Pasi e ndaluan, ajo, pra Amarilda dëgjoi që njëri prej personave të armatosur po thoshte që qenka Berti i Shaveres, ata të Çoles lagje në Vlorë ku kishte qendrën Banda e Zanit. Në spital burri para se të vdiste i kishte thënë “personit që qëlloi se ishte Sokol Buzderri i Bandës së Gaxhait. Në lidhje me këtë episod, bashkëshortja e viktimës, shtetasja A. Halili, menjëherë pas vdekjes së bashkëshortit të saj (Robert Myftari vdiq në spital në datë 18.08.1997) ka bërë kallëzim në Policinë e Vlorës, ku dhe ka shpjeguar ngjarjen dhe autorët e saj.
Grabitjet me armë
Pjesëtarët e bandës së Gaxhait kanë vjedhur me dhunë shtetasin Ardian Skënderi. Duke iu referuar deklarimeve të këtij shtetasi, dhënë në gjykatë provohet se: “Në qershor të vitit 1997 kam qenë me grupin e gatshëm të Drejtorisë së Policisë Vlorë, me banim kam qenë në Vlorë pastaj në fshatin Kashisht Levan Fier, data nuk më kujtohet por ka qenë fillim i qershorit të vitit 1997, kam qenë udhëtar në një fugon në të cilin ndodheshin dhe tre veta të tjerë dy gra e një burrë, ku po udhëtoja nga Vlora për në Fier, pa arritur në fshatin Shamogjin pranë Institutit na kanë dalë përpara tre persona të armatosur me maska, u afrua njëri më kërkoi armën por nuk e kisha me vehte, njëri nga ata tha na falni shef por situatën e kemi ne nën kontroll, me vehte kisha 168000 lekë të rrogës, të cilat mi mori personi që komunikoi me mua ndërsa dy të tjerët ishin në distancë me automatik në dorë, njëkohësisht dhe dy personave të tjerë që ishin në fugon u kanë marrë nga 5000 e 6000 lekë secilit, personat kishin një trup normal…. gjatë bisedës njëri nga prapa më ka qëlluar me qytën e armës në nofull ku pësova hemoragji…”. Përpara policisë gjyqësore ai ka pohuar se “Një nga personat armatosur më vendosi armën në ballë ndërsa tjetri më mori lekët që i kisha në xhep….në atë zonë vepronte ose e kontrollonte vetëm banda kriminale e Gazmend Brakes “Gaxhait”. Gjatë momentit të vjedhjes kam fiksuar një nga tre personat që i dolën përpara fugonit, i cili ishte një trup shkurtër dhe në fytyrë kishte disa pika të kuqe, pasi maskën e kishte pak të hapur në fytyrë…”
Në fund të muajit prill të vitit 1997, pranë Bashkisë Vlorë disa persona të armatosur i kanë marrë me forcë Benzin me trg. Vl 8503A shtetasit Artur Pashai. Ai ka arritur që të njohë nga personat e armatosur të pandehurin Edmond Leskaj. Në lidhje me këtë vjedhje me armë që është kryer nga hetimi gjyqësor ka rezultuar se ky mjet është marrë nën kërcënimin e armëve nga ana e të pandehurve Edmond Leskaj, Sokol Sinomati dhe Armando Sulejmani, Mjeti në momentin që është marrë nga tre të pandehurit ka qenë duke u drejtuar nga shtetasi Enver Gjoni edhe ky punonjës i firmës rentierë VEFA si dhe pronari i mjetit shtetasi Artur Pashaj. Në fakt në lidhje me këtë vjedhje i pandehuri Edmond Leskaj ka dhënë shpjegime të hollësishme mbi mënyrën e vjedhjes dhe bashkëpunëtorët e tij në këtë vjedhje. Është provuar se nën dhunën e armëve por pa i përdorur ato, të pandehurit në kuadrin e veprimtarisë së tyre kriminale kanë kryer tre vjedhje me dhune. Kanë vjedhur me dhunë një sasi të hollash shtetasit Ardian Skënderi, kanë vjedhur gjithashtu dhe automjetet e shtetasve Vladimir Mema dhe Artur Pashaj përkatësisht një veturë tip “Rover” dhe një veturë tip Benz.
Më 11 maj 1997 të pandehurit në mënyrë të organizuar kanë shkuar në Komisariatin e Policisë Vlorë, për të marrë një mjet të blinduar dhe para se të largoheshin kanë vrarë oficerin e Policisë shtetasin Viron Rrapaj. Lidhur me këtë ngjarje, gjatë këtij hetimi gjyqësor arritëm të provojmë se...
Krimet e Rënda: Pesë burgime të përjetshme për bandën e “Gaxhait”
TIRANE – Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi dje burgim të përjetshëm për Gazmir Brakën, i njohur si “Gaxhai”. Në pretencën e Prokurorisë, dënime me burgim të përjetshëm u kërkuan edhe për katër persona të akuzuar si anëtarë të bandës së drejtuar prej “Gaxhait”. Në seancën e djeshme në ngarkim të Gazmir Brakës, Armando Sulejmanit, Sokol Sinematit, Edmond Leskajt dhe Gazmend Nebiut, Prokurori i Krimeve të Rënda, Eugen Beçi, paraqiti para gjykatës konkluzionet përfundimtare. Duke i akuzuar të pandehurit për gjashtë vrasje në vitin 1997, mes të cilave edhe eliminimin e një punonjësi të policisë, si edhe për disa grabitje me dhunë, prokuroria kërkoi për të pesë të pandehurit deklarimin fajtor dhe dënimin e tyre më burgim të përjetshëm. “Siç edhe del nga ky gjykim, krijuesi dhe personi që organizonte gjithçka në këtë bandë ishte i pandehuri Gazmir Brakaj. Në të njëjtin rol rezulton të këtë qenë pozicionuar dhe shtetasi Alfred Nebiu (Kakami). Ndërsa të pandehurit Edmond Leskaj, Armando Suljemani, Sokol Sinomati dhe Gazmend Nebiu kanë qenë pjesëmarrës në këtë organizatë kriminale”, thuhet në konkluzionet e prokurorisë. Sipas përfaqësuesit të akuzës, “baza” e bandës ishte fshati Cerkovinë i Vlorës, ndërsa veprat kriminale janë kryer në zona të tjera. Kërkesën për dënime të ashpra prokurori e argumentoi se veprimtaria e kësaj bande “një nga format më të ashpra të shfaqjes së kriminalitetit në shoqërinë tonë”. Pesë të pandehurit e kësaj çështjeje akuzohen për vrasjet me paramendim të shtetasve Sadik Kurti, Avdul Bajrami, Dhimitraq Mishka, Zihni Haruni, Robert Myftari, vrasjes për shkak të cilësive të veçanta të punonjësit të policisë Viron Rrapaj dhe vjedhjes me dhunë në dëm të shtetasve Artur Pashaj, Vladimir Mema dhe Flamur Xhelaj. Fillesat e “bandës së Gaxhait” kanë qenë menjëherë pas trazirave të vitit 1997, ndërsa në vijim të veprimtarisë së tij ky grupim u armiqësua me bandat e tjera që vepronin në Vlorë në atë kohë. Aktualisht Gazmend Braka është duke vuajtur një dënim me burgim të përjetshëm, ndërsa Armando Sulejmani po vuan një dënim prej 20 vjetësh burg, i dhënë në vitin 2003 nga Apeli i Vlorës. ar.ba