Tadiç: Energjia, presion kundër serbëve të Kosovës
Presidenti serb Boris Tadiç ka akuzuar autoritetet e Kosovës se po keqtrajtojnë serbët brenda territorit, duke i vënë ata nën presion të pranojnë kushtet e tyre politike. “Çdo lloj dhune kundër serbëve të Kosovës duhet të përjashtohet dhe çdo përpjekje tjetër që përbën kërcënim për ta dhe që shkel të drejtat e njeriut”, tha Tadiç. Ministri serb për Kosovën, Goran Bogdanoviç ka thënë se ndërprerja e energjisë elektrike nga ana e Prishtinës zyrtare është presion politik që bëhet ndaj serbëve të mbetur në Kosovë. Por këto deklarata janë hedhur poshtë nga përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe të Korporatës Energjetike të Kosovës, të cilët kanë thënë se të gjithë konsumatorët, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike, duhet të paguajnë energjinë e shpenzuar. Protestat e serbëve kanë vazhduar edhe gjatë ditës së djeshme në zonën e Gjilanit, për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike prej një jave. Protestat e djeshme ishin të paqme, ndryshe nga ato të së dielës ku u plagosën rreth 50 veta, mes të cilëve tetë policë të Kosovës, pasi ishin goditur me gurë nga serbët edhe pse ishin 20 metra larg tyre. Sipas zyrtarëve të KEK-ut vetëm borxhi i fshatit Shillovë ndaj institucionit të tyre vlerësohet të jetë rreth 648 mijë ero, ose për çdo familje rreth pesë mije ero. Të pakënaqur me ndërprerjen e energjisë elektrike rreth 400 nxënës dhe personel arsimor serbë të shkollës fillore “Vuk Karaxhiç” dhe të shkollës së mesme teknike “Nikolla Teslla”, të Prelluzhës së Vushtrrisë protestuan dje në mënyrë të qetë në oborrin e shkollës së tyre dhe ndërprenë mësimin derisa të hapet rrjeti elektrik për ta. Edhe të dielën serbët bllokuan magjistralen Prishtinë – Mitrovicë, përkatësisht në fshatin Milloshevë të komunës së Kastriotit për një orë rresht dhjetëra qytetarë kanë bllokuar rrugën duke protestuar për shkak të shkyçjes nga rrjeti elektrik. Zëdhënësi i Korporatës Energjetike të Kosovës, Viktor Buzhala tha në një prononcim për RTK-në ka thënë se nuk bëhet fjalë për izolim kolektiv, por për një defekt dhe, për më tepër sipas tij niveli i pagesës së rrymës është i ulët. Korporata Energjetike e Kosovës thotë se reduktimet janë bërë për shkak të faturave të papaguara të energjisë elektrike, disa nga të cilat janë nga viti 1999. Por sipas protestuesve, mbi 80 për qind e tyre janë pagues të rregullt të energjisë.
Zapatero: Jo njohjes së Kosovës
Kryeministri i Spanjës, Hose Luis Zapatero ka përforcuar qëndrimin e tij kundër pavarësisë së Kosovës dhe ka mbështetur anëtarësimin e Serbisë në BE pa kushte. Lideri i qeverisë spanjolle i ka bërë komentet në Madrid gjatë një takimi me presidentin serb, Boris Tadiç. Vizita e Tadiç u bë për shkak të nënshkrimit të një marrëveshjeje ushtarake-ekonomike mes dy palëve. Pak pas mbërritjes në Madrid zoti Tadiç bëri një ndalesë në monumentin e ngritur pranë stacionit hekurudhor Atoça për nder të 191 të vrarëve nga sulmet terroriste të marsit 2004 në trenat e pasagjerëve të Madridit. Edhe Mbreti spanjoll Huan Karlos pritet të takohet me presidentin serb, i cili do të flasë sot para një forumi ekonomik në Madrid. “Ne e kundërshtojmë pavarësinë e Kosovës për shkak të bindjeve politike të mbështetura në ligjin ndërkombëtar”, tha kryeministri spanjoll Jose Luis Zapatero gjatë një konference për shtyp në Madrid. Edhe Tadiç deklaroi se Beogradi nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës.