E Shtunë, 31 Tetor 2026

Matura, sot afati i fundit për të plotësuar formularin A1

 

ZIRINA LLAMBRO

Sot maturantët kanë afatin e fundit, për të plotësuar e dorëzuar në shkolla formularin A1 dhe A1-Z. Nëse për një arsye nuk e kanë kryer këtë procedurë të detyrueshme për të gjithë, duhet të nxitojnë. Në të kundërt humbin automatikisht të drejtën e shkollës së lartë. Me anë të formularit në fjalë, kandidatët për në shkollat e larta do të caktojnë lëndët me zgjedhje që do të japin provim. Ndërsa formulari A1-Z, që është futur për herë të parë këtë vit, është për kandidatët që kanë marrë pjesë një herë në provimet me zgjedhje të Maturës Shtetërore gjatë tre viteve të shkuara dhe që duan të mbartin notën e marrë në njërën ose të dyja lëndët me zgjedhje, në Maturën Shtetërore 2009. Kjo, për t’u dhënë një mundësi kandidatëve të 3 viteve të fundit, të cilët u janë nënshtruar një herë këtyre provimeve. Këtë vit lëndët me zgjedhje kanë arritur në 12. Kjo pas shtimit të bllokut të 3 gjuhëve të huaja (italishtes, gjermanishtes dhe spanjishtes). Numri i tyre në total tashmë arrin në 5. Por kandidatët duhet të vendosin vetëm për një gjuhë të huaj, për ta dhënë si lëndë me zgjedhje. Rregullorja e Maturës Shtetërore përcakton që nuk lejohet përzgjedhja e dy prej tyre. Pas plotësimit të formularit A1, duke u bazuar edhe mbi koeficentët e lëndëve, në muajin maj maturantët do të plotësojnë formularin A2. Më anë të tij do të listohen degët e preferuara për të vijuar shkollën e lartë. Pas publikimit të pikëve, kandidatët do të shpallen fitues vetëm në njërën prej tyre. A2 pritet të publikohet në fund të muajit që vjen. Rreth kësaj date do të shpallen edhe koeficentët sipas profilit të shkollës. Këtë vit Ministria e Arsimit ka vendosur që koeficientin më të lartë ta kenë shkollat profesionale. Kjo në bazë të politikave që ka. Ndërkaq në datat 2 dhe 11 qershor, të gjithë nxënësit e viteve të fundit në gjimnaze do të japin provimet me detyrim. Nëse ngelin në një prej tyre, ata humbin automatikisht të drejtën për të konkurruar për në universitete. Sa i përket provimeve me zgjedhje, të gjithë do t’i nënshtrohen në datën 10 korrik. Në teste, peshën më të madhe do ta zënë pyetjet me zhvillim. Sipas specialistëve të Ministrisë së Arsimit, kjo formulë është zgjedhur në mënyrë që  të vlerësohet formimi i vërtetë i nxënësit. Testi do hartohet në mënyrë të tillë që të ketë pyetje për të gjithë nivelet e maturantëve.

Skema e vlerësimit
Skema e vlerësimit të maturantëve nuk ka pësuar ndryshime. Edhe këtë vit provimet e maturës do të zënë rreth 80 për qind të skemës ndërsa 20 për qindëshi i mbetur do të përbëhet nga mesatarja e katër viteve të shkollës së mesme. Me anë të 5 komponentëve të maturës, ku bëjnë pjesë pikërisht notat e provimeve me detyrim, atyre me zgjedhje dhe mesatarja, do të llogaritet numri i pikëve që grumbullon çdo kandidat që konkurron për në shkollat e larta. Përzgjedhja e tyre më tej bëhet sipas parimit të meritë preferencës. Ku pikët janë decizive.

Nivelet e testeve
Hapësira për të gjithë në testet e provimeve të maturës. Ata që hyjnë në kategorinë e nxënësve të dobët, do të kenë pyetjet e nivelit të tyre në secilin prej testeve. Në masën 40 për qind, AVA do të përgatisë pyetje pikërisht për këtë nivel. Niveli i dytë, ku hyjnë nxënës mesatarë e të dobëtit, do të zërë në teste plot 80 për qind të totalit të pyetjeve. Niveli i parë, ose niveli i nxënësve të mirë dhe shumë të mirë, do të ketë 100 për qind hapësirë në test.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›