Fenomeni “Pango”
Emila Markgjonaj*
Politikanë të kapur me afera seksuale nuk janë një lajm i ri në skenën e politikës ndërkombëtare. Këto ditë mediat kanë ofruar një mori rastesh burrash të veshur me pushtet, që kanë shkatërruar familjet e tyre, karrierën politike vetëm për abuzime dhe sjellje seksuale të konsideruara si të pamoralshme Çështja është shqyrtuar dhe shtjelluar nga të gjitha anët dhe ky artikull nuk do të donte të përsëriste argumentet. Kufizohet në dy pyetje të thjeshta: Kur fillon të bjerë pre e një mekanizmi të tillë një njeri i veshur me pushtet?
Përse në rastin e Pangos politikanë të tjerë, burra u treguan kaq “ortodoksë” në gjykimet e tyre, sikur të mos kishin dëgjuar kurrë më parë për diçka të tillë? Kishte ndonjë shans të shpëtonte veten zoti Pango?
Zanafilla e kërkimit të pushtetit fillon që në moshën e adoleshencës. Imagjinoni një grup të rinjsh, ku vetëm pak janë të pashëm, të gjatë (kjo është themelore) me batuta në majë të gjuhës dhe kjo minorancë fatlume, pa asnjë meritë të fituar, është ajo dhe vetëm ajo që tërheq vëmendjen e të gjitha vajzave të bukura bashkëmoshatare. Si duhet të ndihet në mes të atij grupi ai që nuk spikat nga ana estetike, dhe mos e dhëntë Zoti, nuk rezulton as i lezetshëm. Duhet të jetë e tmerrshme të ëndërrosh dhe të kesh zili suksesin e dikujt, ndërsa ditë mbas dite formon bindjen që ai fat nuk të ka qëlluar ty, që nuk ke për të qenë kurrë ëndrra erotike e vajzave të shkollës, dhe nëse të qëllon të bësh pak më tepër muhabet me ndonjërën ndodh vetëm për arsyen e thjeshtë që ajo është korrespektiva perfekte e anës tjetër.
Kur ky i ri e gjen veten të rritur, ndjen që pak mund të bëjë për të ndryshuar fatin e tij, antipatia është tashmë e rrënjosur, s’ka më shpresa për ndonjë mrekulli të natyrës (ku i dihej me rritjen) etj., etj. Nëse natyra është treguar kaq dorështrënguar që personin në fjalë nuk e ka pajisur me ndonjë gjenialitet, talent ose dhunti të veçantë, kjo është vërtet goditja e fundit e rëndë, por kurrë më e rëndë se fakti që ke lindur, si të thuash, i papërfillshëm.
Por rrugët dhe shtigjet janë pafund! Ja ku ofrohet një mundësi ideale për të dalë në pah: politika. Skena politike, por jo vetëm ajo shqiptare mbush radhët e saja me të tillë personazhe të kompleksuar, që mezi presin të kenë orën e tyre të suksesit, të fitores e triumfit. Politika sjell pushtet, shpesh edhe pasuri, përdorimi i të cilave ka një qëllim të vetëm: të bëhesh interesant, tërheqës për seksin tjetër.
Por zoti Pango paraqet përjashtimin nga rregulla e përgjithshme. Ka një paraqitje të pranueshme, dhe është e vështirë të besohet që mund të ketë qenë i komplesuar në adoleshencën e tij. Nuk është një popstar, por është kultivuar në fusha të ndryshme duke superuar statusin e mediokrit, kështu që kjo teori do të ishte e përshtatshme për të shpjeguar historitë e sa e sa politikanëve shqiptarë, por është pak jashtë vendit për këtë rast. Shpjegon për mrekulli reagimin e ish-kolegëve të zotit Pango që hoqën një konkurrent nga radhët e tyre.
Mund të ketë një çelës tjetër leximi: është konteksti shqiptar kaq i korruptuar sa që një marrëveshje e heshtur vendos në mënyrë të prerë këtë formë komunikimi midis burrave me pushtet dhe grave që duan të përfitojnë nga burrat me pushtet? Domethënë nëse një grua paraqitet në mënyrë provokuese, kjo do të thotë pa ekuivokë që është gati të ofrojë shërbime seksuale në shkëmbim të një përfitimi? Burri, nga ana tjetër, duhet të jetë impotent që të mos përfitojë nga shërbimi seksual, dhe nëse ia vlen ose e gjykon të arsyeshme mund të ofrojë atë çfarë kishte premtuar. Ka shumë mundësi të jetë kështu, që zoti Pango të ketë tentuar vetëm për të mos bërë figurën e budallait që nuk përfiton nga një vajzë e re me veshje provokuese, që i vjen në orën 9 të darkës në shtëpi. Medoemos ky fenomen duhet të ketë filluar në këto 18 vjetët e fundit, sepse më parë vajzat nuk vishnin dot minifunde. Po atëherë si shpjegohet që edhe 18 vjet më parë, zoti Pango duhet ta dijë mirë, në fakultete si Inxhinieria Mekanike, 90% e profesorëve tentonin deri dhe me mënyra nga më të ulëtat të kishin raporte me studentet e tyre? Jo, zoti Pango nuk mund të jetë kurrsesi pre e një modeli sistemik e shoqëror, nuk mund të veprojë vetëm duke ndjekur modele banale një njeri që si profesionin e tij njeh psikologjinë, domethënë një njohës i mirë i psikikës humane.
Do t’i mjaftonte vetëm përdorimi i njohurive të pafundme, kaq tërheqëse për të bërë për vete, madje edhe një bashkëmoshatare, lëre pastaj një vajzë 23 vjeçe, që vetëm duke i përmendur Frojdin i ke ndarë ekzistencën përgjithmonë në periudhën përpara se prof. Pango të më fliste për Frojdin dhe mbasi prof. Pango më foli për Frojdin.
Nejse, e kuptojmë ose nuk e kuptojmë dot fakti ndodhi, zoti Pango ra pre e një provokimi që me siguri komprometon në mënyrë të pandreqshme karrierën e tij dhe jo për faktin që nuk mund të interpretohet rasti sipas teorive të mësipërme, por sepse paraqitja personale që zotit Pango iu bë në materialin e përgatitur ishte mizerabël. Do të kishte qenë më e pranueshme të shikohej me një kamxhik në dorë (do të kishte patur akoma shpresë që individë të vazhdonin ta ëndërronin) se sa të dëgjohej duke folur për “ekspoze” dhe mbërthecka (ku e ka dëgjuar xhanëm?). Nëse zoti Pango duhet të ketë ndonjë inat me “Fiksin”, duhet ta ketë vetëm për këtë arsye. Mund të jetë bindës një profesor në një sallë me studentë pasi ka shqiptuar fjalën mbërtheckë? Mund të ketë raporte me studente, punë morali, ç’rëndësi kanë, mund të vazhdonte të ngelej një profesor i mirë, por jo mbas mbërtheckës. Të merresh në qafë për një fjalë duhet të jetë e tmerrshme.
Të vazhdojë të bëjë psikologun: do të vraponin njerëzit të zgjidhnin problemet e tyre më intime tek një njeri (psikologu shihet si i gjithëpushtetshëm) që kur donte të joshte një vajzë tha fjalën mbërtheckë? I ngelet ndonjë shans të bëjë psikoterapeutin në terapi shok-u, sidomos në rastet e zhbllokimit të libidines, (njerëz që nuk kanë dëshirë për të bërë seks, ose mundësi fizike për të kryer aktin seksual). Nuk do të kishte ndonjë shpresë të madhe sidoqoftë, sepse ku kanë para shqiptarët të shkojnë tek psikologu për punë seksi!
I kishte ngelur një shans zotit Pango, një rast i fundit që do t’i ishte dashur ta përdorte më së miri duke shfrytëzuar të gjitha njohuritë e tija: dalja nga skena. Deri ditën e enjte në darkë kishte akoma mundësinë të dilte me elegancë, me humanitet nga skena. Do të kishte arritur ta bënte sikur më parë se të vepronte të ishte këshilluar jo me avokatin e tij, por me një grua. Duhet të kishte llogaritur që të enjten në darkë, për të shpëtuar veten, duhet t’u kishte folur grave jo drejtorëve të televizionit. Gratë ishin të vetmet që do të kishin interes të dëgjonin një shpjegim njerëzor dhe të vetmet, të cilave mund t’ju dhimbsej.
Do të kishte qenë më mirë që zoti Pango të pranonte që të gjitha komunikimet me gazetaren në fjalë ishin bërë në mënyrë të tillë, që në fund të fundit të realizohej një raport seksual me sa më pak sforco (e gabuar shumë, por njerëzore!) që paraqitja e vajzës, pranimi i ftesës në shtëpi, ora e vonët u lexuan në mënyrë banale e skematike nga profesori i psikologjisë dhe që vazhdoi të tentonte me të gjitha mënyrat një raport seksual (jo vetëm një zhveshje) do të kishte qenë e gabuar, e pafalshme, e dënueshme ligjërisht, por më njerëzore. Gratë do t’ju kishin shpëtuar zoti Pango, sikur të mos kishit zgjedhur t’ju drejtoheshit deri në fund me “punë femrash”.
*Psikologe