E Shtunë, 31 Tetor 2026

Autobusi me drogë drejt Greqisë, Krimet e Rënda mbyllin hetimet

Prokuroria e Krimeve të Rënda përfundon hetimet ndaj Ferdinand Nanos, Ilia Goxhajt dhe Lorenc Zykollarit, të akuzuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Ata u kapën në Pikën e Kalimit Kufitar Kakavijë. Policia ka ushtruar një kontroll në autobusin me targë TR7454L të linjës Tiranë-Athinë. Gjatë kontrollit të ushtruar dhe pikërisht në pjesën e sipërme të tavanit të autobusit, në kasën e kondicionerit të tij, u gjetën 55 pako të mbështjella me ngjitës natriban ngjyrë kafe, e dyshuar si lëndë narkotike e llojit marijuanë. Në vendngjarje ndodheshin dy drejtuesit e autobusit, shtetasit Ferdinand Nano dhe Ilia Goxhaj, si dhe tre pasagjerë që udhëtonin me këtë linjë autobusi në drejtim të Athinës. Pas pyetjes së tre pasagjerëve dhe pas verifikimeve të kryera, rezultoi se këta shtetas nuk kishin dijeni në lidhje me fshehjen e lëndës narkotike në pjesën e sipërme të autobusit. Sipas dosjes së prokurorisë, në orën 05:30 të datës 9 mars 2009 u arrestuan në flagrancë dy drejtuesit e autobusit, shtetasit Ferdinand Nano dhe Ilia Goxhaj. Goxhaj, nga verifikimet e para, rezulton të jetë dhe bashkëpronar i agjencisë së udhëtimeve për të cilën kryente rrugë edhe autobusi ku ishte fshehur lënda narkotike. Ndërkohë, nga gjurmët e marra në pakot me lëndë narkotike ka rezultuar se gjashtë prej këtyre gjurmëve të fiksuara në to janë lënë nga shtetasi Lorenc Agim Zykollari. Sipas akuzës, Zykollari thjesht ka ndihmuar në paketimin e kësaj lënde narkotike, duke mos pasur asnjë dijeni mbi trafikimin apo jo të saj. Ai dyshohet se e ka paketuar këtë lëndë narkotike për llogari të personave të tjerë ende të paidentifikuar. Tre të pandehurit, sipas prokurorisë, e kanë kryer veprën penale në bashkëpunim dhe me persona të tjerë.
Në këto rrethana të reja, të krijuara pas marrjes së konkluzioneve nga aktet e ekspertimeve daktiloskopike, është e nevojshme që të kryhen dhe veprime të tjera hetimore, të cilat kanë të bëjnë me identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të të pandehurve Ferdinand Nano dhe Ilia Goxhaj në kryerjen e këtij trafiku të lëndëve narkotike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›