E Shtunë, 31 Tetor 2026

Autobusi me pasagjerë përplas makinën, 1 i vdekur, 5 të plagosur

Lushnje, tragjedi në superstradën Lushnje-Fier. Autobusi i pasagjerëve është goditur më pas edhe nga kamionLUSHNJE- Një 30-vjeçar ka gjetur vdekjen dhe të paktën pesë persona të tjerë janë plagosur në një aksident të rëndë automobilistik të ndodhur dje në aksin rrugor Lushnje- Fier. Autobusi që po transportonte punëtorët e një firme private është përplasur me veturën private duke shkaktuar kaos të vërtetë në rruge. Vasillaq Kostrica ka gjetur vdekjen e menjëhershme gjatë përplasjes ndërsa të tjerët janë dërguar në spital për të marrë ndihmë mjekësore.
Burime nga vendi i ngjarjes pohuan dje se rreth orës 06.00 të mëngjesit autobusi me targa "LU 5462 B" që drejtohej nga 42- vjeçari Gezim Kaja, po kryente itinerarin e përditshëm. Ai merrte punonjësit e një firme private dhe i transportonte nga Lushnja në drejtim të qytetit të Fierit. Në momentin që makina ndodhej në afërsi të lokalit të quajtur "Klubi i shoferëve" në Lushnjë i ka dalë përpara një veturë tip Ford. Makina e vogël kishte humbur kontrollin dhe po i drejtohej autobusit të mbushur me pasagjerë. Në këtë moment drejtuesi i autobusit ka tentuar që të shmangë përplasjen duke manovruar por gjithçka ka qenë e kotë. Makina e vogël është përplasur drejtpërdrejt me autobusin dhe më pas ka dalë jashtë rrugës duke përfunduar në kanal. Vasillaq Kostrica ka gjetur vdekjen e menjëhershme si pasojë e përplasjes së fortë me autobusin ndërkohë që një grua dhe një fëmijë që ndodheshin në makinë me të kanë pësuar dëmtime të ndryshme.
***
Ndërkohë që edhe autobusi nuk ka shpëtuar me kaq. Manovrat e drejtuesit të tij për të shmangur aksidentin por edhe përplasja me veturën kanë bërë që autobusi të dalë nga kontrolli. Por në këtë moment pas tij ndodhej edhe një kamion me targa "LU 7094", i cili ka përfunduar duke goditur nga pas autobusin me pasagjerë. Nga përplasja e fortë në mes të rrugës, autobusi dhe kamioni janë batuar duke u dëmtuar rendë. Dëshmitarët okularë pohuan dje se si autobusi ashtu edhe kamioni janë zvarritur në rrugë dhe përplasja ka qenë shumë e fuqishme. Xhamat, pjesët e tapicerisë si dhe llamarinat e dy mjeteve janë shkatërruar duke dëmtuar kështu edhe disa nga pasagjerët që ndodheshin brenda tyre.
***
Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë mbërritur kalimtarë të rastit por edhe forcat e policisë së Lushnjes. Ato janë marrë me administrimin e vendit të ngjarjes duke dërguar të gjithë të plagosurit në spitalin e qytetit të Lushnjes për të marrë ndihmën e parë mjekësore. Burimet e policisë pohuan se pesë personat që janë dërguar në spital janë dy anëtarë të familjes Kostrica si dhe tre gra që ndodheshin në autobus, të cilat punonin në një firmë këpucësh në qytetin e Fierit. Hetimet e para të policisë kanë treguar se shkaku i aksidentit është mosrespektimi i rregullave të qarkullimit rrugor nga ana e drejtuesit të automjetit me targa të Tiranës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›