Financat caktojnë tatimin për biznesin
Bode: Ne kemi nxjerrë normat mesatare të fitimit sipas industrive dhe mbi bazën e tyre do bëjmë llogaritjen
Ministri Financave, Bode ka paraqitur gjatë ditës së djeshme skemën e re, në bazë të së cilës do të operojnë tatimet me biznesi. "Ne kemi nxjerrë normat mesatare të fitimit sipas industrive. Dhe kur një kompani ka një fitim 10% dhe kompania rivale me të më e madhe në xhiro deklaron një fitim 0.1%, atëherë kjo do të thotë se kemi një fshehje të madhe të fitimeve",- tha Bode. Skema e lançuar dje nga ana e ministrit të Financave, në një takim që ky i fundit pati në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve për të prezantuar Drejtorin e ri, konsiston në nxjerrjen e normave mesatare të rentabilitetit për çdo industri. Në këtë mënyrë, sipas kreut të Financave tatimorët e kanë shumë të lehtë duke pasur parasysh xhiron, që të nxjerrin normën e fitimit. Skema e paraqitur dje nga ana e ministrit të Financave, konvergjon edhe me projektet e tjera që janë hedhur tashmë për zbatim, siç është ai i pagave të referencës dhe i çmimeve të referencës. Duke iu bashkuar këtyre pagave dhe çmimeve të referencës, tashmë edhe kompanitë që operojnë në të njëjtin sektor, do të jenë të detyruar që të paguajnë tatime mbi bazën e normave të njëjta të rentabilitetit. Kështu, nëse në ndërtim, fitimi mund të jetë llogaritur në një mesatare të normuar prej 20% nga ana e financave, kjo normë do të jetë referencë për të gjitha kompanitë e sektorit. "Kjo do të thotë që Administrata Tatimore do të evidentojë të gjitha këto raste që nuk janë në përputhje me normat e fitimit që deklarohet nga kompanitë e tjera rivale", - ka sqaruar gjatë ditës së djeshme Bode.
***
Kreu i Financave, Bode ka bërë të ditur gjatë ditës së djeshme se, ulja e tatimit mbi fitimin në masën 10% për vitin 2008, nga 20% që ishte në vitin 2007, nuk do të thotë që një pjesë e mirë e bizneseve të vazhdojnë të lundrojnë në informalitet. "Parapagimi i tatimit mbi fitimin përbën një detyrim ligjor dhe tashmë janë përcaktuar normat mesatare të rentabilitetit për çdo sektor më vete. Një skemë e tillë nuk është standarde, por ajo do të jetë pjesë e kontrollit dhe ndjekjes nga ana e organeve tatimore",- tha Bode. Sipas ministrit Bode normat mesatare të fitimit do të përdoren për të rillogaritur fitimet e deklaruara nga kompanitë, vetëm në ato raste kur dyshohet për fshehje të fitimeve.
+++
Braçe: Sefgjini, garanti i represionit mbi biznesin
Biznesi, gjatë muajit janar gjendet në kushtet e një agresioni të paparë të administratës represive fiskale
Nënkryetari i grupit të PS, Erion Braçe ka sulmuar kreun e ri të Tatimeve, Arben Sefgjini. "Mua më bën përshtypje sjellja e Kryeministrit në këto raste, sidomos në rastin e këtij drejtorit të Tatimeve. Sjellja e Kryeministrit, sepse Sali Berisha është i vetmi që është pyetur në mënyrë permanente, me shkrim, me gojë, ballë për ballë, sy për sy, për çështjen e zhdukjes së një shqiptari të mirë, që quhet Remzi Hoxha dhe nuk ka kthyer asnjëherë përgjigje. Përkundrazi, ka emëruar në mënyrë konstante njerëz të dyshuar dhe të akuzuar për zhdukjen e këtij njeriu, në poste kyçe të administratës së shtetit. Ky është një problem shumë i madh. Kam përshtypjen që do të jetë detyrimi i grupit tonë parlamentar për ta sjellë Sali Berishën në Parlament për zhdukjen e shqiptarit Remzi Hoxha gjatë kohës kur ushtronte funksionin e Presidentit të Republikës, Sali Berisha, dhe kishte kontroll të drejtpërdrejtë mbi Policinë, mbi Ushtrinë dhe natyrisht mbi strukturën e vënë nën akuzë, që quhet SHIK",- tha Braçe. Numri dy i PS-së në Parlament ka bërë me dije se, nga ana tjetër, biznesi është duke u përballur me një represion të paparë të Tatimeve sidomos gjatë muajit janar. "Kam përshtypjen se para se të reagojmë ne, duhet të reagojë biznesi, i cili gjatë muajit janar gjendet në kushtet e një agresioni të paparë të Administratës represive Fiskale. Gjoba marramendëse, nga biznesi i vogël deri te më i madhi, dhe për çfarë, për të zbatuar deri në fund një lajthitje kriminale të qeverisë për të vendosur dhe pagat e biznesit privat. Ky njeri që po emërohet tani është garanti i këtij represioni mbi biznesin. Ky njeri emërohet për të vazhduar represionin kriminal mbi biznesin në Shqipëri, për të cenuar akoma më tepër pavarësinë dhe lirinë e biznesit, për të ushtruar liritë e tij ekonomike në ekonominë e tregut. Për të mos thënë në fund fare, që është një njeri politik, që nuk ka vend në një administratë civile. Posti i Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve nuk është post politik. Është post civil, që duhet t'i ishte nënshtruar rregullave të Shërbimit Civil të Republikës së Shqipërisë, konkurrimit dhe plotësimit të kritereve të Shërbimit Civil në RSH",- tha Braçe.