Braçe: "Rrëshen-Klimash", Ina Rama e paaftë të kryejë detyrat
Nënkryetari i grupit të PS-së flet edhe për anëtarësimin e vendit në NATO
TIRANË- Pavarësisht vullnetit për bashkëpunim, socialistët shprehen të ashpër ndaj kryeministrit Sali Berisha në lidhje me përgjegjësinë e tij për plotësimin e atyre detyrimeve që i lindin vendit tonë, si kusht për të marrë ftesën për në NATO. Nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Erion Braçe, duke rikonfirmuar edhe një herë gatishmërinë për të mbështetur çdo nismë reformuese të mazhorancës në Kuvend, ka deklaruar dje se në rast se vendi ynë do e humbasë shansin për të marrë ftesën për Samitin e Bukureshtit, atëherë kryeministri Berisha duhet të mbajë përgjegjësinë e tij dhe të japë dorëheqjen. Ndërkohë që duke marrë shkas nga raporti i "Freedom House", Braçe ka gjetur rastin dje që të denoncojë edhe një herë mungesën e lirisë në vend, si një pasojë e asaj që ai e konsideroi si uzurpim të të gjitha pushteteve. Gjithashtu, ai nuk ngurruar t'i kthehet dje as çështjes së shumëpërfolur të rrugës Rrëshen-Kalimash, e cila, sipas tij, mbetet e ende e mbuluar me hije të shumta dyshimi për korrupsion. Në vijim të këtij qëndrimi, ai është shprehur se, as Prokurorja e re e Përgjithshme nuk ka mundur që të kryejë detyrën e saj, për të hetuar mbi akuzat që paraardhësi i saj ngriti për një sërë pushtetarësh që qeverisin sot vendin. "Prokuroria e Përgjithshme s'është e aftë as të kryejë detyrat funksionale të hetimit. Të sekuestrojë prova materiale kudo, kudo ku ato ndodhen, edhe në zyrën e Kryeministrit, edhe në Protokollin e Kryeministrit, këtë gjë se bën dot dhe kjo është evidente, dhe këtë e keni parë të gjithë ju",- theksoi Braçe.