E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Eshtë koha, Ina Rama duhet të veprojë

Presidenti Bamir Topi flet për reformat ne vend si dhe për pavarësinë e gjyqësorit.
"Besoj se kryeprokurorja është në momentin kur fillimisht do të fillojë të veprojëpër të bërë reformën strukturore"
TIRANË- Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka deklaruar mbrëmë se ka ardhur koha që Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama duhet të veprojë. I ftuar në emisionin "Kontrast" në TV "Alsat", në intervistën e tij të parë për këtë fillim viti, kreu i shtetit i pyetur se kur duhen pritur rezultate nga kryeprokurorja, Topi u përgjigj: "Unë mendoj se nuk është as herët as vonë. Eshtë pikërisht momenti. Sipas gjykimit tim të shkosh në një detyrë të rëndësishme dhe të presëshreformim që javën e parë apo të dytë, do të ishte një veprim i nxituar. Një njeri që shkon në krye të një institucioni të rëndësishëm, njeh gjendjen fillimisht, do konstatosh diagnozën, dhe pastaj do veprosh, të japësh mjekimin. Besoj se ka qenë koha e mjaftueshme dhe besoj se kryeprokurorja është në momentin kur fillimisht do të fillojë të veproje për të bërë reformën strukturore" . Presidenti Topi u shpreh edhe për dosje të arkivuara nga organi i akuzës. "Mjaft dosje kane mbetur për shkak të mungesës së obligimit të një prokurori apo të një trupe prokurorësh, e për të operuar sipas ligjit, do të kushtëzohen nga reformat, për të vendosur prokurorë të ndërgjegjshëm që janë koshient para ligjit. Mjaft impase që janë krijuar në prokurori kërkojnë reformë, që të gjitha çështjet që kanë mbetur të palëvizura, apo kanë lëvizur pak, të lëvizin, të kenë dinamik",- tha ai. Sa i përket mandatit të prokurorit të përgjithshëm, Presidenti pohoi se ai do të kufizohet në mënyrë të padiskutueshme, pasi kjo është pranuar në prononcimet e të gjithë përfaqësuesve të partive politike, që po bëjnë reformë.
Pavarësia e gjyqësorit
Presidenti Bamir Topi është ndalur edhe tek reforma në drejtësi, ku diskutimet (para pak ditësh në komisionin e Ligjeve) kanë prekur edhe çështjen e pavarësisë së Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Pikërisht, mbi këtë çështje, Presidenti u shpreh mbrëmë gjatë intervistës se Këshilli i Lartë i Drejtësisë duhet të jetë në kushte më të pavarura, duke nënkuptuar drejtësinë. "Ajo që ne e përdorëm si argument për të definuar drejtësinë e standardeve evropiane, është pikërisht që drejtësia duhet të jetë e pavarur nga politika",- tha Topi, duke theksuar se masa mbetet për tu diskutuar, pasi edhe në vende me demokraci të konsoliduara ka influenca, por jo influenca që denatyrojnë misionin e drejtësisë dhe të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Sa më të ulëta të jenë këto influenca, shtoi Presidenti, aq më shumë drejtësi do të kemi për qytetarët dhe KLD-ja, institucionet e drejtësisë, do të jenë në standardet e kërkuara të një pushteti të pavarur. Presidenti është ndalur dhe tek projektligji për sistemin gjyqësor, që aktualisht po diskutohet në komisionin parlamentar të ligjeve, duke kërkuar që procesi i diskutimit të tij të jetë konsistent, palët të mos nxitohen, pasi një ligj i vendosur me nxitim, sipas tij, ka pasojë jo të këndshme dhe detyron bërjen e ndryshimeve të tjera. Sipas Topit, politika duhet të bashkëpunojë me profesionistët, me institucionet e drejtësisë, për t'i bërë gjërat më serioze. Sa i përket reformave në një kuptim më të gjerë, Presidenti Topi u shpreh ndër të tjera se në të kaluarën institucioni i Presidentit, është futur si mediator, ose si katalizator në momentet kur nuk ka pasur vullnet për t'u ulur në tryezë. "Sot, ose më mirë në këtë moment që ne po flasim, është një situatë totalisht ndryshe. Jo vetëm që është shprehur vullneti, jo vetëm që po bashkëpunohet në kuadër të një komisioni, por besoj që për shumë gjëra me sa duket partitë bien dakord",- tha Topi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›