Presidenca, dekretohet Ligji për Akademinë e TVSH-ja mbi librat
Topi dekreton dy ligjet e kontestuara nga opozita, shoqëria civile dhe akademikët
TIRANË- Presidenti Bamir Topi ka dekretuar dje një sërë ligjesh, mes të cilëve edhe dy ligje mjaft të kontestuar nga grupet e interesit. Projektligji për "Akademinë e Shkencave" dhe projektligji për vendosjen e TVSH mbi librin janë dekretuar dje nga Presidenti, duke i dhënë fund shpresave akademikëve dhe të botuesve për një reflektim nga kreu i shtetit, për një kthim sërish në Parlament nga ana e tij. Pavarësisht kundërshtimeve të vazhdueshme të këtyre dy grupeve të interesit për ligjet në fjalë, kërkesave të tyre drejtuar vetë Presidentit për të mos dekretuar ligjet, kryetari i shtetit i dha"OK" përfundimtar ligjit për akademinë e shkencave dhe TVSH-së mbi librin. Veçanërisht projektligji për vendosjen e TVSH mbi librin ka ngjallur ditët e fundit një debat të gjerë, ku përveç botuesve janë përfshirë intelektualë të shquar, që kanë kundërshtuar ashpër këtë projektligj. Është Lëvizja Mjaft e ka kundërshtuar projektligjin për vendosjen e TVSH-së mbi librin dhe i kanë kërkuar Presidentit Bamir Topi të mos e dekretojë atë. Madje, përfaqësuesit e Mjaft kanë kërcënuar me nisjen e protestave qytetare. Në këtë debat të gjerë janë përfshirë edhe partitë politike, ku Partia Socialiste, ashtu si Mjaft, i ka dërguar të njëjtën kërkesë Presidentit Topi, të mos e dekretojë ligjin, duke pretenduar se ai diskriminon lexuesit dhe përbën një barrë të rënda fiskale që do të rëndojë mbi taksapaguesit shqiptar. Dekretimi i ligjit nga Presidenti do të rivendosë tatimin mbi vlerën e shtuar për të gjithë librat e botuar jashtë dhe që tregtohen në Shqipëri. Përsa i përket ligjit të akademisë së shkencave, akademikët e kanë quajtur atë diskriminues, edhe pas ndryshimeve që qeveria i bëri draftit fillestar të paraqitur në komisionin e Medias. Po ashtu, edhe partitë e opozitës kanë paraqitur kontestimet e tyre, duke mos marrë pjesë as në miratimin e tij në komisionin parlamentar.