E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode-Sefgjinit: Rritje mbi 400 mln USD nga taksat

"Ky është niveli i poshtëm i rritjes së të ardhurave nga tatimet, që ne kemi miratuar në buxhet"
"Në prezantimin e Drejtorit të ri, Bode ka kujtuar se targeti i rritjes së të ardhurave është më shumë se 400 mln USD"
Rritja e të ardhurave tatimore që është miratuar në buxhet, është vetëm niveli i poshtëm i asaj që ne duhet të arrijmë në vitin 2008. Ky është edhe targeti që i ka vënë ministri i Financave, Drejtorit të ri të Tatimeve, duke i kërkuar më shumë se 400 milionë dollarë shtesë në taksa për vitin 2008, krahasuar me vitin 2007. Deklarata tepër ambicioze e ministrit Bode është bërë gjatë prezantimit të Arben Sefgjinit në krye të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Në këtë takim kanë marrë pjesë të gjithë drejtorët e Tatimeve në rrethe. Në parashikimet fiskale të bëra nga ana e Ministrisë së Financave, tatimeve u kërkohet që të mbledhin rreth 400 milionë dollarë më shumë taksa për vitin 2008. Por ky është vetëm plani, ndërsa nga ana e Bodes, kreut të ri të Tatimeve i është kërkuar më shumë se plani, duke i kujtuar këtij të fundit, se një detyrë jo e lehtë e pret në krye të këtij institucioni. Referuar buxhetit të vitit 2008, të ardhurat tatimore janë parashikuar të arrijnë në rreth 262.4 miliardë lekë ose 24.39% e PBB-së. Niveli i të ardhurave tatimore të kërkuara nga qeveria, për këtë vit fiskal është 32.4 miliardë lekë më shumë se buxheti fillestar i planifikuar për vitin 2007, ose rreth 14% më shumë. Mosrealizimi i të ardhurave tatimore në rreth 82 milionë dollarë, duket se ka qenë edhe shkaku i largimit nga detyra i Gerta Picarit. Gjatë takimit të ditës së djeshme Picari ka bërë me dije se, "një nga arritjet më të mëdha të saj në krye të tatimeve ka qenë lufta kundër korrupsionit, që i ka ndryshuar edhe imazhin këtij institucioni".
***
TË ardhurat nga TVSH, që është edhe burimi kryesor i të ardhurave për vitin 2008, janë parashikuar në 99.9 miliardë lekë, krahasuar me 87.8 miliardë lekë që ishin planifikuar për vitin 2007, duke rezultuar me një rritje prej rreth 14%. Këto të ardhura janë parashikuar të arrijnë në 9.29% të PBB-së, nga 8.94% të parashikuar për vitin 2007 dhe 8.25% të vitit 2006. Rritja në këtë masë e të ardhurave nga TVSH, sipas Financave do të jetë rezultat i rritjes ekonomike dhe i përmirësimit administrativ, i cili ka dhënë një impakt të rëndësishëm gjatë vitit 2007. Gjithashtu gjatë vitit 2008 është parashikuar një rritje e konsiderueshme e nivelit të investimeve publike, e cila do të rezultojë me efekte pozitiv në të ardhurat nga TVSH.
***
Të ardhurat nga akciza, për vitin 2008 parashikohen në rreth 38.5 miliardë lekë nga 28.8 miliardë të planifikuara për vitin 2007, me një rritje prej rreth 9.7 miliardë lekë, ose rreth 33 për qind më shumë, duke arritur nivelin 3.58 për qind të PBB-së, nga 2.94 për qind të parashikuar në buxhetin suplementar të 2007. Rritja e të ardhurave nga akciza për vitin 2008 me rreth 9.7 miliardë lekë, sipas Financave, do të jetë rezultante e rritjes së akcizës për karburantet, pijet alkoolike, birrën dhe verën, që filloi të zbatohet nga 1 korriku i vitit 2007, që do të ketë një shtrirje të plotë gjatë gjithë vitit, si dhe e luftës kundër kontrabandës dhe evazionit fiskal. Rritje në targete ka edhe për të ardhurat nga Tatimi mbi të Ardhurat Personale. Të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale për vitin 2008 janë parashikuar të arrijnë në rreth 16.3 miliardë lekë nga 13 miliardë lekë të parashikuar për vitin 2007 (buxheti suplementar), me një rritje prej rreth 25 për qind, duke arritur kështu në 1.51 për qind të PBB-së, nga 1.32 për qind të PBB-së së parashikuar në buxhetin suplementar të vitit 2007 ose nga 0.95 për qind e PBB-së që arritën këto të ardhura në vitin 2006. Rritja e të ardhurave nga tatimi mbi të ardhurat personale gjatë vitit 2008, sipas Financave është rezultante e vendosjes së Taksës së Sheshtë për të ardhurat personale nga punësimi, që i ka filluar efektet e saj që në gjysmën e dytë të 2007, dhe pritet të ketë një efekt pozitiv vjetor prej 4.5 miliardë lekë, efekteve pozitive nga zbatimi i pagave referuese mujore, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore dhe tatimit mbi të ardhurat personale, si dhe një efekt konstant nga miradministrimi drejt uljes së evazionit fiskal.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›